
Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje rreth arrestimit të zyrtarit të Agjencisë Pyjore të Kosovës, I.O., i cili dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, arrestimi u krye më 18 gusht 2025 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK) – Njësitin në Prizren.
“Ky arrestim është rezultat i masave të veçanta hetimore, të cilat Prokuroria Themelore në Prizren i ka aplikuar për një periudhë të caktuar kohore, duke siguruar prova të fuqishme dhe dëshmi të pakontestueshme,” theksohet në njoftim.
Nga hetimet është zbuluar se i dyshuari duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit personal, duke pranuar para nga qytetarë të ndryshëm dhe duke u premtuar ndërmjetësimin për rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen me qira të pronave nga Agjencia Pyjore e Kosovës.
I.O. ndodhet në ndalim 48 orësh me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokuroria ka njoftuar se brenda ditës do të parashtrojë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.