
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nuk është i lumtur që Dimal Basha sot është kryetar i Kuvendit, por ai tha se si PDK kanë mbajtur fjalën e dhënë. Por, ai tha se tha se Basha është zgjedhja e Vetëvendosjes për t’i përfaqësuar qytetarët në Kuvend.
Ai tha se kërkesa e tyre për konsultë u refuzua në fillim të seancës.
“Megjithatë, Kurti dhe VV konsiderojnë që qytetarët e Kosovës më së miri i përfaqëson Dimal Basha. Në një situatë normale, në një botë paralele asnjëherë nuk do ta votonim dikë si Dimali në krye të Kuvendit. Ne kemi votuar për ta zhbllokuar situatën, për ta çarë bllokadën e Albin Kurtit dhe për t’i qëndruar besnik fjalës së dhënë publike, sepse për PDK-në edhe për mua personalisht, kjo është më e rëndësishmja. Disa vlera morale që fatkeqësisht janë zbehur, para se gjithash nga Albin Kurti, që s’e ka mbajtur asnjë prej qëndrimeve që e ka pasë përgjatë viteve, ne të tjerët duhet t’i kthejmë. Fjalën që e kemi dhënë e mbajtëm sot. A jemi të lumtur që është Dimal Basha kryetar? S’besoj që janë të lumtur as deputetët e Vetëvendosjes. Ju i patë me fytyra të varura sepse ndoshta s’kanë besuar as që bëhet. Megjithatë, sot kemi kryetar të Kuvendit. Shpresoj shumë që të kemi edhe nënkryetarë”, tha Krasniqi.