
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka reaguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili ka kritikuar opozitën për votat pro Dimal Bashës.
Haradinaj, tha se LDK-ja është betonuar pro bllokadës.
Derisa, sqaron që AAK u pozicionua pro vendimit të Gjykatës për zhbllokim të Kuvendit
“AAK e ka vërejtur muaj më parë që vendi po hyn në bllokadë të thellë institucionale dhe kjo ka ndodhur. Duke e parë këtë rrezik katastrofik për vendin, AAK e ka dërguar kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo, me vendimin e saj të parë dhe të dytë, e ka vendosur modelin e daljes nga bllokada dhe ne jemi pozicionuar pro vendimit të Gjykatës”.
“Kaq ka qenë përgjegjësia jonë dhe kaq kemi bërë. Veç Lumir Abdixhiku me të tijët, janë betonuar pro kësaj bllokade. Lumiri ka vendnumëruar në vazhdimësi dhe po vazhdon të vendnumërojë ende. Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir”, ka shkruar tutje Haradinaj.
Abdixhiku me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ tha se LDK’ja s’e “shpërblen mediokritetin”, duke iu referuar mos-votimit të Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit të Kosovës, shkruan Insajderi.
“Natyrisht se LDK-ja nuk shpërblen mediokritetin. Natyrisht se LDK-ja nuk ka votë promovuesi vulgar të urrejtjes, ndarjes e propagandës – në nivelet më të larta institucionale. Besojmë se përfaqësimi politik duhet të jetë fisnik; shembull për qytetarinë e Republikës më të re në Evropë”, ka shkruar Abdixhiku.