
Gjykata e Qarkut të Splitit në Kroaci ka dënuar me një muaj burg pilotin e Forcave Ajrore Kroate (HRZ) nga Spliti dhe partneren e tij, sociologe nga Mitrovica, të cilët dyshohen për spiunazh.
Sipas raportimit të mediumit Index.hr, për veprën penale të spiunazhit, ata u dënuan me paraburgim për shkak të ndikimit të mundshëm mbi dëshmitarët ose për shkak të rrezikut se do të shkatërronin, fshihnin ose falsifikonin provat, pra gjurmët e rëndësishme për procedurën e provave, teksa ishin në liri, përcjell Insajderi.
Serbja nga Kosova u la gjithashtu në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes, duke qenë se është shtetase e huaj.
Sipas Kodit Penal në Kroaci, dënimi për këtë krim është gjashtë muaj deri në pesë vjet burg.
Të dy u morën në pyetje dje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit të Qarkut të Splitit. Çështja kundër tyre po trajtohet nga policia civile dhe ushtarake, si dhe Europoli, dhe dyshohet se piloti ushtarak JI po i zbulonte sekrete partneres së tij AM, pas së cilës ajo i dërgonte ato informacione tek Lista Serbe.
Mediat kroate bënë të ditur se gruaja e ndaluar dyshohet se punon për një organizatë gjermane dhe është akuzuar penalisht për mbledhjen e informacionit që i është dhënë asaj gjatë tre viteve të fundit nga një pilot ushtarak i Splitit, i cili ka kaluar kohë në Kosovë si anëtar i kontingjentit kroat (HRVCON) brenda KFOR-it.
Dyshohet, sipas mediave, se të dy kanë shkëmbyer mesazhe nëpërmjet rrjetit social WhatsApp, në të cilat ai i ka përcjellë informacione konfidenciale në lidhje me lëvizjet dhe planet e forcave të KFOR-it në lidhje me situatën në veri të Kosovës, dhe ajo më pas ua ka përcjellë ato figurave kryesore në partinë Lista Serbe dhe madje edhe një gazetari nga një agjenci e njohur ndërkombëtare lajmesh.
Bëhej fjalë për lëvizjen e serbëve në veri të Kosovës që nga fundi i vitit 2022, lëvizjen e trupave të KFOR-it, por edhe për shumë detaje të tjera. /Insajderi.org/