
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas pamfletit skandaloz të kryetarit aktual të Kuvendit, Dimal Bashës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Krasniqi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se shefi i Bashës, Albin Kurti, “e ka pasur mënyrë jetese demonizimin e UÇK’së dhe të udhëheqësve të saj”, shkruan Insajderi.
“Shembulli i propozimeve nga Lëvizja Vetëvendosje për Kryetar të Kuvendit e tregon më së miri: Albulena Haxhiu, Donika Schwartz, Hekuran Murati – të tre me qëndrime dhe veprime kundër UÇK-së dhe trashëgimisë së saj. Njëra duke ua zvogëluar fondet e mbrojtjes në Gjykatën e Hagës, tjetra duke pranuar se ka dorëzuar dosje kundër krerëve të UÇK-së, e tjetri duke përjashtuar nga paga minimale kategoritë e luftës çlirimtare dhe duke i fyer luftëtarët e lirisë në krahasimet që ua bënte me mercenarë”, thuhet në shkrimin e tij.
“Vota jonë nuk ka qenë për individin – por për të mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, me qëllim të dhënies fund bllokadës institucionale. Por, edhe për ta zhveshur Vetëvendosjen dhe për ta vënë para reflektorit publik të së vërtetës. Sepse, gjatë janë fshehur e amnistuar prapa Glaukave, por në fakt këta janë Dimala. Nëse ndokush ka pasur dyshime, qoftë edhe brenda elektoratit të tyre, sot besoj e kanë të qartë këtë”, ka thënë më tej ai.
“Prandaj, turpi i mbetet Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, të cilët me insistim e kandiduan Dimal Bashën. Por, një gjë po vërtetohet edhe tash, siç e kishim thënë në dy herët e kandidimit të tij – ai nuk është i denjë që të jetë Kryetar i Kuvendit”, thotë më tej Krasniqi. /Insajderi.org/