BE pezullon takimet me Qeverinë Kurti - pret formimin e një kabineti me mandat të plotë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    BE pezullon takimet me Qeverinë Kurti – pret formimin e një kabineti me mandat të plotë

    Insajderi
    28 August 2025 - 18:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shefat e Misioneve të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë kanë njoftuar se, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës më 25 qershor 2025, vizitat dhe takimet e nivelit të lartë me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat e Qeverisë nuk do të mbahen brenda ndërtesës së ekzekutivit derisa të formohet një qeveri me mandat të plotë.

    Në një letër të përbashkët, përfaqësuesit e BE-së rikujtojnë se Gjykata Supreme shpalli të pavlefshme Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve Nr. 01/2025, duke theksuar se ai bie ndesh me nenin 71 të Kushtetutës që ndalon ushtrimin paralel të funksioneve ministrore dhe parlamentare.

    “Ky vendim riafirmon përkushtimin tonë parimor ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional,” thuhet në letrën e nënshkruar nga shefat e misioneve të BE-së në Kosovë.

    BE thekson se kjo masë është e përkohshme dhe synon të shmangë çdo paqartësi ose keqinterpretim, siç ndodhi gjatë vizitës së fundit të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd–Prishtinë.

    “E konsiderojmë thelbësore që angazhimet tona institucionale të jenë plotësisht të harmonizuara me kuadrin kushtetues të Kosovës dhe vendimet e gjykatës më të lartë të saj,” thuhet në letër e publikuar nga Telegrafi.

    Përfaqësuesit evropianë sigurojnë se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj angazhimit konstruktiv dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me homologët kosovarë në fushat kyçe të bashkëpunimit.

    “Shpresojmë sinqerisht që një qeveri me mandat të plotë të formohet pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë që të mund të rifillojmë bashkëpunimin e plotë me BE-në dhe të thellojmë më tej marrëdhëniet tona politike dhe ekonomike,” thuhet në letër./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark