
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka reaguar ashpër pas publikimit të fotove të saj dhe të dhjetëra grave të tjera në një faqe pornografike italiane.
Ajo e ka cilësuar të papranueshme dhe “të neveritshme” këtë shkelje të dinjitetit dhe ka kërkuar që autorët të identifikohen sa më shpejt dhe të ndëshkohen me ashpërsinë më të madhe të ligjit.
Në mesin e viktimave të këtij abuzimi digjital janë edhe motra e saj, Arianna Meloni, si dhe udhëheqësja e opozitës, Elly Schlein. Fotot e manipuluara ishin postuar në platformën italiane Phica, e cila kishte mbi 700 mijë abonentë përpara se të mbyllej nga menaxherët, duke fajësuar përdoruesit për “përdorim të gabuar”.
“Jam e neveritur nga ajo që ka ndodhur. Dua të shpreh solidaritetin dhe mbështetjen time për të gjitha gratë që janë fyer dhe dhunuar”, tha Meloni për Corriere della Sera. Ajo theksoi se edhe në vitin 2025, ende ka nga ata që fshihen pas anonimitetit të internetit për të ushtruar dhunë seksiste dhe për të poshtëruar gratë.
Skandali ka hapur një debat të gjerë publik mbi dhunën digjitale dhe mbrojtjen e grave online, teksa policia italiane ka nisur hetimet pas ankesave të paraqitura nga politikanë dhe figura të shquara.
Një studim i Universitetit të Milanos kishte zbuluar qysh në vitin 2019 se 20% e grave italiane kishin përjetuar ndarje të fotove të tyre intime pa pëlqim – fenomen që duket se po rritet me shpejtësi me përdorimin e platformave të reja digjitale.
Artikullin e gjeni tek The Guardian