Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë padi për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP). Në këtë pozitë është emëruar Hysen Muzliukaj, i cili ka qenë këshilltar i Faton Pecit dhe është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në padinë e dorëzuar, kërkohet edhe pezullimi i zbatimit të këtij vendimi deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, me arsyetimin se vendimi është i shoqëruar me shkelje kushtetuese dhe ligjore, shkruan Insajderi.
Sipas CSL-së, një nga shkeljet kryesore lidhet me faktin se vendimi është marrë nga kryeministri dhe ministrat në detyrë, të cilët njëkohësisht mbajnë edhe funksionin e deputetëve. Ky veprim, sipas paditësve, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe është dëshmuar si praktikë e paligjshme nga një aktgjykim i Gjykatës Supreme, i datës 7 korrik 2025.
Ndër shkeljet tjera të evidentuara në padi përfshihen:
– mungesa e arsyetimit për zgjedhjen e kandidatit të emëruar në raport me tre kandidatët fitues, në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publik;
– mosplotësimi i elementeve të detyrueshme të aktit administrativ, si arsyetimi dhe këshilla juridike, sipas Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative;
– shkelja e parimeve të meritokracisë dhe barazisë gjinore, pasi kandidati i emëruar nuk i përket gjinisë së nënpërfaqësuar.
CSL ka kërkuar nga gjykata që pas shqyrtimit gjyqësor të aprovojë padinë, të anulojë vendimin e Qeverisë në detyrë dhe të sigurojë që shkelje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
Sipas këtij organizimi, vendimmarrja e gjykatës në këtë rast do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në praktikën administrative dhe gjyqësore, duke forcuar respektimin e Kushtetutës, ligjeve dhe procedurave në vend.
Qeveria në detyrë e Kosovës emëroi Hysen Muzliukajn në krye të Institutit të Kosovës për Administratë Publike, përkundër se ndaj tij rëndojnë akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Muzliukaj është i njohur për qëndrimet e tij të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, të cilat i ka shprehur publikisht.
Në zgjedhjet të 9 shkurtit, ai në një postim të publikuar në profilin e tij në “Facebook” e quan Kurtin edhe “baba”.
“Babo faleminderit që ekziston! Po i prejna të dielen krejt deri në rrënjë! Natën e mirë e gjumin sheqer o 500 mijë zemrat e kuqe”, kishte shkruar ai.

Muzliukaj, i njohur si ish-këshilltar politik i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe ish-drejtor komunal në Mitrovicë gjatë mandatit të Agim Bahtirit, ishte arrestuar në korrik të vitit 2023 nga Prokuroria Speciale, së bashku me ish-nënkryetarin e Mitrovicës, Faruk Mujkën.
Ata u ndaluan për dyshime për përfshirje në korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në atë kohë, Prokuroria kishte njoftuar se ndaj Muzliukajt ishte lëshuar urdhër për bastisjen e banesës, ndërsa ai u lirua një ditë pas arrestimit për t’u mbrojtur në liri. /Insajderi.org/