Insajderi
Op-Ed

Procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së drejt fundit, cilat janë veprimet pasuese si dhe afatet

Insajderi
02 September 2025 - 22:18
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së drejt fundit, cilat janë veprimet pasuese si dhe afatet
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Tashmë, procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së po shkon drejt fundit, ku roli i palës mbrojtëse është tejet i rëndësishëm, lista e dëshmitarëve që do të dëshmojnë në këtë proces, janë shumë kredibil të konfirmuar tashmë nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe, e besoj se do të ndikojnë shumë që të konstatohet e vërteta.

Shkruan: Ardian Bajraktari

Po, është e ditur, UÇK-ja nuk ka kryer krime se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë dhe kierarki të mirëfilltë komanduese.

Bazuar në Rregulloren e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, në veprimet pasuese janë me sa vijon:

1. Dëshmitarët nga trupi gjykues, nëse e vlerëson të nevojshëm

Pas mbylljes së paraqitjes së provave të mbrojtjes, ose pasi të jenë dëgjuar dëshmitë e thirrura nga trupi gjykues (nëse ka të tillë). Kryetari i trupit gjykues i pyet palët nëse kanë mocione për paraqitje kundërprovash.

2. Paraqitja e kundër provave

Kundër provat mund të paraqiten me autorizim të trupit gjykues, nga palët në procedurë, në raport me provën e propozuar nga pala tjetër (Prokuroria dhe Mbrojtja). Dhënia e dëshmive të tilla autorizohet vetëm në interes të drejtësisë dhe në rrethana të posaçme.

3. Mbyllja e procedurës së paraqitjes së provave

Pasi dëgjimit të të gjithë dëshmitarëve, përfshirë edhe ata të ftuar nga trupi gjykues, nëse ka të tillë, trupi gjykues deklaron mbylljen e procedurës së paraqitjes së provave.

Pastaj fton Prokurorin si dhe Mbrojtjen të dorëzojnë dosjet gjyqësore përfundimtare brenda 30 ditësh.

Po ashtu, fton mbrojtësin e viktimave që të dorëzojë një deklaratë në lidhje me pasojat e veprave penale të pretenduara ndaj viktimave pjesëmarrëse në proces, po ashtu brenda 30 ditësh.

Cakton një seancë për deklaratat përmbyllëse që mbahet brenda 21 ditësh pas dorëzimit të dosjeve dhe deklaratës ose deklaratave të theksuara si më lartë.

4. Deklaratat përmbyllëse

Pas përfundimit të fazës së paraqitjes së provave, faza pasuese është ajo e deklaratave përmbyllëse. Prokurori paraqet i pari deklaratën përmbyllëse e pas tij vijojnë me deklaratat e tyre mbrojtësi i viktimave dhe pala mbrojtëse.

Në kuadër të deklaratave përmbyllëse, mund të theksohen dëshmitë e pranuara dhe besueshmëria e tyre, besueshmëria e dëshmitarëve, dokumentacioni i procesit dhe dispozitat ligjore përkatëse. Po ashtu, mund të përdoret edhe material ilustrues dhe përmbledhje të dëshmive, në qoftë se janë të bazuara në provat e pranuara.

Vlen të ceket se Trupi gjykues mund të kërkojë sqarime për çfarëdo problemi të ngritur në dosjet gjyqësore përfundimtare dhe se prokurori me mbrojtësit kanë të drejtë të kthejnë përgjigje.

I akuzuari ka të drejtë të marrë fjalën i fundit dhe se Trupi gjykues mund të kufizojë kohëzgjatjen e deklaratave përmbyllëse.

Mbyllja e çështjes gjyqësore, bëhet pas deklaratave përmbyllëse dhe kjo gjë deklarohet nga ana e Kryetarit të trupit gjykues.

5. Vendimi lidhur me gjykimin dhe afati

Pas mbylljes së çështjes, Trupi gjykues tërhiqet për të kuvenduar, për shqiptimin e vendimit të gjykimit në lidhje me akuzat në aktakuzë.

Diskutimet janë rreptësisht konfidenciale, dhe se Trupi gjykues vendos ndaras për secilën akuzë, përfshirë edhe secilën formë përkatëse të përgjegjësisë penale.

Në rastin e gjykimeve të përbashkëta, për çdo të akuzuar nxirren përfundime më vete. Përfundimi i fajësisë nxirret vetëm në qoftë se shumica e trupit gjykues bindet se fajësia është vërtetuar jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Vendimi i gjykimit shqiptohet brenda afatit prej 90 ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore.

Në rrethana përjashtuese, ky afat mund të zgjatet, por jo më shumë se 60 ditë, përveçse kur është absolutisht e nevojshme. Vendimi për zgjatjen e afatit është publik dhe palët e mbrojtësi i viktimave informohen në lidhje me të, dhe se për zgjatjen e afatit jepen arsyet.

Presim të fitojë drejtësia dhe të konfirmohet lufta e drejtë e UÇK-së dhe angazhimi për vlerën më të çmuar të njeriut, lirinë!


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark