Qeveria reagon ndaj kritikave të PDK-së e LDK-së, mbron qëndrimin e Kurtit për bashkëpunim me drejtësinë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria reagon ndaj kritikave të PDK-së e LDK-së, mbron qëndrimin e Kurtit për bashkëpunim me drejtësinë

    Insajderi
    03 September 2025 - 12:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas kritikave të ashpra të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me paraqitjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Gjykatën Themelore të Prishtinës për të dëshmuar në rastin e kanosjes ndaj tij.

    Kryeziu i ka cilësuar akuzat për standarde të dyfishta si të pavërteta dhe ka theksuar se Kurti nuk ka refuzuar asnjëherë të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale.

    “Paraqitja e kryeministrit Kurti në gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale,” ka deklaruar Kryeziu.

    Ai shtoi se Kurti ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë, madje ka kërkuar që intervistimi të bëhet në zyrën e tij, një praktikë që, sipas tij, është përdorur edhe më parë.

    “Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë”, ka shkruar Kryeziu.

    Në lidhje me rastin e kanosjes, ai sqaroi se hetuesit e autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar Kurtin më 10 qershor 2025 në zyrën e tij, ndërsa sot ai është paraqitur në gjykatë si palë e dëmtuar.

    Ky reagim i Kryeziut erdhi pasi deputetët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Hykmete Bajrami, akuzuan Kurtin për shmangie të drejtësisë dhe për qasje të dyfishtë ndaj institucioneve ligjzbatuese, duke e cilësuar qëndrimin e tij si selektiv dhe të politizuar.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark