Gjykata Kushtetuese reagon ndaj akuzave të Kurtit: Pavarësia jonë është themeli i shtetit të së drejtës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata Kushtetuese reagon ndaj akuzave të Kurtit: Pavarësia jonë është themeli i shtetit të së drejtës

    Insajderi
    08 September 2025 - 16:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar së fundmi Gjykatën Kushtetuese se po funksionon si “hije politike” e partive opozitare kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Ndaj këtij deklarimi ka ardhur reagimi i fortë nga vetë Gjykata.

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin për deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë, duke theksuar se pavarësia e saj nuk është privilegj i gjyqtarëve, por themel i shtetit të së drejtës.

    Sipas njoftimit, asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e gjyqtarëve kushtetues, dhe çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi ta përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve, duke minuar besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe demokracinë.

    Gjykata gjithashtu thekson se vendimet e saj bazohen ekskluzivisht në Kushtetutë, praktikën gjyqësore dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore. Çdo deklaratë që tenton të paragjykojë vendimet e Gjykatës cilësohet jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit.

    Gjykata apelon tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të shmangin deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues, si bazë për një shoqëri të drejtë dhe demokratike për të gjithë qytetarët e Kosovës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark