Policia e Kosovës ka sekuestruar shtatë aparate- Pos të cilët kanë shërbyer për kryerjen e pagesave me dinar.
Këto pajisje janë gjetur në disa lokale dhe biznese gjatë një kontrolli që policia, ATK dhe Inspektorati komunal kanë kryer të martën.
Aksioni është zhvilluar në qytetin e Mitrovicës Veri.
Njoftimi i plotë i policisë:
Policia në Mitrovicë Veri sekuestron aparate (POS) që shërbenin për pagesa me valutë të dinarit
Mitrovicë Veri, 09 Shtator 2025
Me datë 09.09.2025, Sektori Rajonal i Hetimeve Mitrovicë Veri, gjatë asistimit të inspektorëve të tregut nga Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Mitrovicës Veri, si dhe inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, në kuadër të një kontrolli në disa biznese/lokale në komunën e Mitrovicës Veri në shtatë biznese të ndryshme ka hasur në shtatë aparate-POS të cilat kanë shërbyer për kryerjen e pagesave në valutën dinar.
Në lidhje me këtë rast është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili, ka udhëzuar që këto aparate të sekuestrohen përkohësisht dhe të iniciohet rast për veprën penale “Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.
Ne lidhje me rastin nuk ka persona të arrestuar, ndërsa sipas kompetencave rasti ka kaluar për trajtim nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike – Rajoni Mitrovicë Veri.