Cakolli: Sipas Osmanit, kushdo që kritikon është “tradhtar”, ky është një model i konsoliduar i pushtetit aktual - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Cakolli: Sipas Osmanit, kushdo që kritikon është “tradhtar”, ky është një model i konsoliduar i pushtetit aktual

    Insajderi
    11 September 2025 - 14:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, ka reaguar ndaj presidentes Vjosa Osmani, e cila i akuzoi disa gazetarë – pa përmendur emra – si bashkëpunëtorë të Milan Radoiçiqit.

    “Në Amerikë, dje u vra dikush si pasojë e një klime politike ku urrejtja dhe demonizimi i kritikëve janë normalizuar. Ky është rezultati kur kushdo që mendon ndryshe linçohet si armik, e kur etiketa e “tradhtarit” bëhet pjesë e përditshmërisë politike”.

    “Një ditë, dikush – qoftë edhe mentalisht i paqëndrueshëm – i merr seriozisht akuzat dhe kalon nga fjala në dhunë”, shkroi Cakolli.

    Ai tha se “Kosova nuk ka arritur ende në pikën e dhunës fatale sikur SHBA-të”.

    Por, sipas tij, “është e pamohueshme se po shkojmë në një drejtim të gabuar.

    “E kësaj logjike i kontribuoi sot, hiç më pak se vetë Presidentja e vendit, e cila në një konferencë skandaloze me gjuhë krejt të papërgjegjshme akuzoi gazetarët se kanë lidhje me Milan Radoiçiqin dhe plane për grusht-shtet. Nëse nuk ka prova dhe nëse institucionet nuk veprojnë, kjo nuk është mbrojtje e shtetit e as luftë kundër krimit – por është sulm i drejtpërdrejtë ndaj zërave kritikë dhe vetë themeleve të demokracisë”, shkroi ai.

    Cakolli tha se Osmani nuk është e vetmja në këtë frymë dhe se është një model i konsoliduar i pushtetit.

    “Ky është një model i konsoliduar i gati krejt pushtetit aktual. Kushdo që kritikon shpallet “tradhtar,” “mercenar,” ose “me Serbinë.” E këto fjalë nuk mbesin në sallat e konferencave – ato përhapen te militantët dhe te turma në rrjete sociale, ku gjuha bëhet edhe më e dhunshme dhe më degraduese. Kështu mbyten debati dhe liria e shprehjes, duke krijuar terren ku nesër dikush mund të ndjehet i justifikuar të shkojë më tej se fjala dhe sharja”.

    “Nëse duam Kosovë demokratike, duhet ta thyejmë këtë logjikë binare të “patriotëve” kundër “tradhtarëve.” Sepse patriotizëm nuk është të demonizosh kundërshtarin, e aq më pak kritikun. Patriotizëm është të pranosh kritikën, ta përballesh me argumente (nëse ke) dhe të tentosh ta zbutësh diskursin e acaruar”, shkroi ai.

    Cakolli tha se “çdo gjë tjetër është helmim i opinionit publik – dhe helmi, siç po shihet gjithandej në botë, gjithmonë përfundon në dhunë”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark