
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA është një goditje e rëndë për Kosovën, me pasoja afatgjata nëse nuk ndryshohet qasja politike.
Ai kujtoi se Kosova është gjithashtu nën masa nga BE.
Sipas Hotit, kjo situatë mund të ishte shmangur nëse presidentja Vjosa Osmani do të kishte mbrojtur Kushtetutën dhe institucionet nga, siç tha ai, sulmet e Albin Kurtit.
Ky është postimi i tij i plotë:
Goditja që mori dje shteti i Kosovës nga ndërprerja e dialogut strategjik Kosovë-SHBA do të ketë pasoja afatgjata nëse nuk ndryshon kursi i zhvillimeve politike. Të mos harrojmë se jemi edhe nën masa financiare të BE-së për më shumë se dy vjet.
Ky vendim i SHBA-së do të ishte i shmangshëm sikur Presidentja Osmani ta kishte përmbushur detyrimin e saj kushtetues, duke marrë përgjegjësinë për të mbrojtur Kushtetutën dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, institucionet gjyqësore e prokuroriale, gazetarët, bizneset dhe komunitetet pa dallim nga sulmet dhe presioni i Kurtit dhe Vetëvendosjes.
Në vend të kryerjes së obligimit të saj kushtetues, Osmani në vazhdimësi zgjidhte heshtjen ose radhitej pas Kurtit.
Ky vendim i SHBA-së është zile e re alarmi për ata që bartin përgjegjësi institucionale apo politike, shumë prej të cilëve viteve të fundit Kurti i ka tërhequr zvarrë drejt narratives së tij të popullizmit të mbrapshtë që solli këtë vendim të SHBA-së.
Zilja ra sërish dhe shumë fuqishëm. Nesër, kur mund të bëhet vonë, askush nuk mund të thotë se nuk u zgjua ngase nuk i ra kush ziles.
Zilja kishte rënë edhe në fillim të vitit 2020. Atëherë, LDK-ja zgjodhi partneritetin me SHBA-në para ruajtjes së pozitave qeveritare.