
James Rubin, ish-nëndihmëssekretar amerikan i Shtetit gjatë luftës në Kosovë, ka dëshmuar sot në rastin e Hashim Thaçit dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së në Hagë.
Ai ka treguar se në vitin 1999 ka kuptuar për komunikimin e Ramush Haradinajt me CIA-n, duke shtuar se “ky komunikim kishte ekzistuar ndër vite”.
Për këtë është pyetur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se këtë e ka bërë gjithmonë në shërbim të vendit.
Ai gjithashtu shtoi se dëshmia e Rubin ka peshën e vet pozitive në procesin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.
“I gëzohemi komunikimit me institucionet e Amerikës, sidomos me ato të sigurisë. Unë e kam bërë në shërbim të vendit tim çdo herë,” tha Haradinaj.
“Nga përvoja ime që kam pasur në procese, kjo dëshmi tregon edhe kontekstin e luftës; profili dhe personaliteti i z. Thaçi dhe të tjerëve nuk mund të anashkalohet. Kjo dëshmi e ka peshën e vet për të mirë,” përfundoi ai.