Antidroga në Prizren godet rrjetin: Rreth 512 kg marihuanë gjenden brenda një shtalle/PAMJE - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Antidroga në Prizren godet rrjetin: Rreth 512 kg marihuanë gjenden brenda një shtalle/PAMJE

    Insajderi
    17 September 2025 - 12:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Njësia antidrogë në Prizren, pas veprimeve të vazhdueshme hetimore, ka zhvilluar një aksion të suksesshëm në fshatin Maqitevë të Suharekës, ku ka zbuluar një sasi të madhe të substancave narkotike të dyshuara të llojit marihuanë.

    Sipas informacioneve zyrtare, substanca narkotike ishte në proces të tharjes dhe përpunimit brenda një objekti (shtallë), në katin përdhes dhe në nënkulm të ndërtesës. Pas matjes në vendngjarje, është konstatuar se bëhet fjalë për 512 kilogramë e 89 gramë marihuanë, vlera e së cilës në treg kap shifrën prej rreth 750 mijë euro.

    Gjatë operacionit, janë gjetur edhe një granatë dore me predhë, si dhe një armë zjarri-pushkë, të cilat janë konfiskuar nga autoritetet.

    Në vendin e ngjarjes, me urdhër të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, substanca narkotike është shkatërruar menjëherë në mënyrë të kontrolluar, për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm dhe shpërndarje të saj në treg.

    Sipas burimeve të Insajderit, është identifikuar i dyshuari kryesor, i cili aktualisht ndodhet në arrati. Operacioni ka nisur mbrëmë dhe është përmbyllur në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 07:00.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark