Thaçi, Bukoshi dhe polemikat e Rambujesë, dëshmia e Williams përballë versionit të Surroit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi, Bukoshi dhe polemikat e Rambujesë, dëshmia e Williams përballë versionit të Surroit

    Insajderi
    17 September 2025 - 17:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje më 1999, ka dëshmuar të mërkurën para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Ai pohoi se gjatë negociatave, Thaçi ishte sjellë në mënyrë diplomatike dhe respektuese ndaj Bujar Bukoshit.
    “E di që është sjellë kështu. Në qoftë se doni, mund t’iu jap informacion shtesë”, tha Williams, por Prokuroria nuk kërkoi detaje të tjera.

    Ndryshe nga ky version, Veton Surroi kishte rrëfyer në një intervistë se Thaçi e kishte kërcënuar Bukoshin, madje duke i hedhur kafe. Ai kishte treguar se kishte pasur mosmarrëveshje dhe situata ishte bërë e komplikuar, me akuza të ndërsjella si: “Ti ke bërë këtë, LDK-ja kështu-ashtu”.

    Seanca u tensionua pas ndërhyrjes së avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, i cili kritikoi përdorimin e një dokumenti nga Prokuroria. Ai tha se për dy vite gjykatësit ua kishin ndaluar atyre ta shfaqnin një material të tillë në ekran gjatë marrjes në pyetje.

    Prokurori James Pace u përgjigj se dokumenti nuk ishte shfaqur në ekran, por trupi gjykues e lejoi Mishetiqin të vazhdonte.
    “Unë kundërshtoj se po zbatohen standarde krejtësisht të ndryshme. Keni zbatuar tjetër standard me Prokurorinë”, tha Mishetiq.

    Gjykatësit refuzuan akuzat për standard të dyfishtë. Gjyqtari Mettraux sqaroi se avokatëve u është lejuar përdorimi i dokumenteve të tilla, por vetëm si zgjedhje e dytë, jo e parë.

    Megjithatë, Mishetiq nguli këmbë se kundërshtimi i tij kishte të bënte me faktin që dëshmitarit iu tregua një dokument i tillë në ekran.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark