
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë për krime lufte ndaj dy personave, L.D. dhe V.O.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se, gjatë periudhës 1998–1999 në Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime, arrestime të paligjshme, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së popullsisë civile shqiptare.
Më 25 dhe 26 mars 1999, në rrugën “Tahir Efendiu” në Gjakovë, gjatë një aksioni të forcave policore serbe, ku morën pjesë edhe të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policorë, është vrarë një civil dhe janë keqtrajtuar gjashtë civilë të tjerë të nacionalitetit shqiptar.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit, në bashkëkryerje, kishin rrethuar shtëpinë e të dëmtuarit N.K., ku ndodheshin edhe M.M., S.G., B.G., B.Sh., A.C. dhe Q.Sh. Të gjithë këta janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht. Ata janë detyruar të ngarkojnë në një kamionetë policie të gjitha materialet e ndihmës që ndodheshin në objektin e shoqatës humanitare ‘Nënë Tereza’, dhe më pas janë futur me forcë në një kamion për t’u dërguar në stacionin policor të Gjakovës”, thuhet në njoftimin zyrtar.
“Në stacionin policor, të dëmtuarit janë ndarë nëpër qeli të ndryshme, ku kanë qëndruar për 24 orë pa ushqim, pa ujë dhe pa ndihmë mjekësore. Gjatë kësaj kohe, ata janë rrahur dhe maltretuar vazhdimisht nga të pandehurit dhe pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, duke përdorur shufra gome, shqelma dhe grushte. I arrestuari M.M., më 26 mars 1999, ditën kur është nxjerrë nga qelia, është gjetur i vrarë në afërsi të urës së Taliqit, në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.