
Artan Behrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka vlerësuar se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, për dy dekada ka krijuar një narracion të rrejshëm për procesin e dialogut në Bruksel.
Behrami ka bërë me dije se në këtë narracion, Kurti është munduar ta paraqes Serbinë si fituesen e këtij procesi. Në profilin e tij në “Facebook”, deputeti ka shkruar se Kurti tani po imiton sjelljen e Serbisë.
Postimi i Behramit:
“Tash e dy dekada, Kurti e ka krijuar narracionin e rrejshëm që përfituesja më e madhe e dialogut është Serbia. Ai është i bindur se Serbia ka ‘përfituar’ në dialog duke qenë destruktive! Në këtë mënyrë Kurti e ka skicuar rrugën që do ta rrahë – një rrugë pa aleatë, një rrugë ndryshe nga ajo që kemi ndjekur në dy dekadat e fundit, bashkërisht me aleatët tanë. Kurti sot imiton Serbinë dhe Vuçiqin. Ai me vetëdije sot po jetëson një doktrinë që fund e krye është doktrinë serbe!”
Behrami thekson se strategjia e Kurtit bie ndesh me politikën e ndjekur nga Kosova në dy dekadat e fundit, duke e izoluar vendin dhe duke pasqyruar një qëndrim që ai e cilëson si i ngjashëm me doktrinën serbe.