Profil | Nga mbikëqyrëse e bankave në punëtore të bankës, për t’u rikthyer si Zëvendësguvernatore- karriera kontroverse e Nesrin Shileku Shala - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Profil | Nga mbikëqyrëse e bankave në punëtore të bankës, për t’u rikthyer si Zëvendësguvernatore- karriera kontroverse e Nesrin Shileku Shala

    Insajderi
    22 September 2025 - 13:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një ekonomiste e diplomuar një vit pas luftës në Kosovë, në vitin 2000, që për pak vite do të zinte pozita të rëndësishëm në Bankën Qendrore, Nesrin Shileku Shala që sot mban postin e zëvendësguvernatores së Republikës, ka pasur disa kërcime kontroverse në karrierë: nga punonjëse-mbikëqyrëse e shtetit mbi bankat e direkt në punë në bankë. Ajo konsideron që nuk ka pasur kurrfarë konflikti të interesit, edhe pse Ligji specifik përmend periudhë ndalese dy vjeçare. Insajderi sjell një profil të saj, në vazhdën e profileve që ka bërë edhe për zëvendësguvernatorin tjetër, Milot Cakajn e afërt më Kryeministrin kujdestar, Albin Kurti

    Visar Duriqi

    E lindur në Prishtinë më 1974, Nesrin Shileku Shala ndërtoi karrierën e saj kryesisht brenda Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Që nga viti 2003, tri vite pasi u bë ekonomiste e diplomuar, e deri më 2018, ajo u ngjit hap pas hapi deri në pozitën e Mbikëqyrëses së Lartë Bankare, duke marrë pjesë edhe në hartimin e kornizave rregullative financiare dhe trajnime të shumta ndërkombëtare

    Por në gusht të vitit 2018 ajo papritmas largohet nga BQK. Biografia e saj zyrtare këtë lëvizje e paraqet si kalim “në sektorin privat”, fillimisht në Raiffeisen Bank, e pastaj në Raiffeisen Leasing dhe PriBank. Por pyetja kryesore mbetet: a ishte dorëheqje e vullnetshme apo shkarkim?

    Shileku Shala e sqaron vetë: “Në vitin 2018 kam vendosur të largohem nga BQK me dorëheqjen time vullnetare. Ky vendim ka ardhur si pjesë e një synimi personal për të zgjeruar përvojën time profesionale në një dimension tjetër”.

    Sidoqoftë, dilema mbetet: si është e mundur që një mbikëqyrëse bankare fill pas largimit, të kalojë pikërisht në një bankë që deri dje e kishte nën mbikëqyrje.

    A nuk përbën ky një konflikt të interesi? Ajo përgjigjet prerë: “Në vitin kur kam kaluar në Raiffeisen Bank Kosova, nuk kam ushtruar funksionin e mbikëqyrëses të Raiffeisen Bank Kosova, siç është pretenduar”, por Ligji Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik ka një periudhë shumë më të gjatë: dy vite. Madje është i prerë.

    Tek nenin mbi “kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike”, ky ligj i aplikueshëm nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, thuhet se “zyrtari i lartë nuk ka të drejtë: të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre”.

    Vet zëvendësguvernatorja Shileku Shala në CV-në e saj thotë se “Në nëntor të vitit 2005, u promovua në pozitën Mbikëqyrës Bankar dhe nga janari 2007 deri në gusht 2018, shërbeu si Mbikëqyrëse e Lartë Bankare”.

    Sipas vetë të dhënave të saj, derisa në gusht 2018 mori pagë nga BQK-ja si mbikëqyrëse, në shtator 2018 mori pagën si punonjëse e bankës, që nën përgjegjësi e kishte ta mbikëqyrte, duke thënë vet në CV: “Në shtator të vitit 2018, znj. Shileku Shala kaloi në sektorin privat, duke iu bashkuar Raiffeisen Bank në Kosovë si Specialiste e Auditimit të Brendshëm”.

    Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit madje flet edhe për kufizimin e zyrtarëve që të ndajnë të dhëna që kanë marrë si punonjës të shtetit me sektorin privat që e kanë pasur nën mbikëqyrje për dy vite, derisa zëvendësguvernatorja aktuale menjëherë nga Mbikëqyrëse e Bankave në BQK kaloi në Audimin e Brendshëm të bankës private Raiffeisen.

    “(i ndalohet) të përdorë informacionin e privilegjuar ose konfidencial të siguruar gjatë ushtrimit të funksionit publik për qëllime e punësime të tjera në të ardhmen për interesin privat të vet ose të një personi të afërm apo të besuar për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik”, thuhet në Ligj.

    Rikthimi në BQK me një konkurs publikisht të kontestuar

    Pas disa vitesh në sektor privat, në janar 2024 ajo rikthehet në BQK, tashmë si Zëvendësguvernatore. Biografia zyrtare e saj thotë se emërimi u bë “me propozimin e Guvernatorit dhe vendimin e Bordit të BQK-së”

    Pyetja ishte nëse kishte konkurs apo thjesht ftesë, pasi që në CV pati shkruar “Me 24 janar të vitit 2024 me propozimin e Guvernatorit, Bordi i BQK-së ka emëruar znj. Shileku Shala në pozitën e Zëvendësguvernatores për Funksionet e Përgjithshme”

    Përgjigja e saj është se “kam aplikuar për pozitën … dhe kam kaluar të gjitha fazat e konkursit. Emërimi im është bërë nga Bordi i BQK-së, me propozim të Guvernatorit, në pajtim me ligjin”.

    Ajo thotë “në janar të vitit 2024 kam aplikuar për pozitën e Zëvendësguvernatorit për Funksione të Përgjithshme  dhe kam kaluar të gjitha fazat e konkursit”.

    Por, në fakt konkursi ishte i vitit 2023, dhe ishte ky konkurs që u shpall “dy herë” brenda pak muajsh — në shtator 2023 dhe më pas në dhjetor 2023 — dhe ishte raportuar se kriteri i shkollimit u lehtësua në konkursin e dytë.

    Në këtë konkurs u zgjodh edhe Milot Cakaj, që Gazeta Insajderi ka raportuar gjerësisht për procesin e përzgjedhjes e tij, njeriut të afërt me Kryeministrin kujdestar, Albin Kurti.

    Milot Cakaj, shoku i studimeve të kryeministrit Albin Kurti, u emërua zëvendësguvernator për mbikëqyrje financiare përmes një konkursi të dyshimtë. Vetë britanikët thanë për Insajderin se s’kanë marrë pjesë në monitorimin e procesit të përzgjedhjes së dy zëvendësguvernatorëve dhe se s’e mbështetën atë. Mediumi po ashtu raportoi për CV-në e Cakajt, si dhe mori vesh se përgjatë punës së gjatë në ‘Raiffeisen Bank’, asnjëherë s’kishte bartur pozitë menaxheriale.

    Kreditë e favorshme 17 vjeçare nga ish-vendi i punës në sektorin privat

    Një tjetër temë e ndjeshme janë financat personale. Në deklarimin e pasurisë, Shileku Shala tregon për tre kredi të mëdha dhe disa kredi të tjera konsumuese.

    “Në shtator të vitit 2018, znj. Shileku Shala kaloi në sektorin privat, duke iu bashkuar Raiffeisen Bank në Kosovë si Specialiste e Auditimit të Brendshëm. Aftësitë udhëheqëse të saj u njohën me një promovim në krye të Auditimit të Brendshëm në Raiffeisen Leasing në Kosovë në nëntor të vitit 2020”, thuhet në CV-në e saj.

    Po në këtë vend ku mbajti postin e kryesores së auditimit të brendshëm, ajo ka marrë një një kredi 17-vjeçare: nga Raiffeisen Leasing për blerje banese, me vlerë mbi 95 mijë euro. Në Kosovë, afatet e tilla janë shumë të rralla.

    Por ajo mohon çdo anomali: “Institucioni ofronte lizing financiar deri në 20 vite… lizingu është dhënë për 17 vite. Sot, institucioni ofron lizing financiar deri në 25 vite”, ka thënë ajo në ëprgjigje për Insajderin.

    Po ashtu, ajo sqaron se kreditë tjera – një prej 45 mijë eurosh dhe një prej 18 mijë eurosh – janë “kredi konsumuese për nevoja familjare”. Në fund, ajo kujton: “Ju lutem merrni parasysh se vlerat e kredive që i keni përmendur përfshijnë shumën e kredisë së bashku me interesin. Ndërkohë, shuma reale e kredisë së marrë është më e ulët”.

    Edhe lidhjet familjare nuk mbeten pa pyetje. Bashkëshorti i saj punon në organizatën ndërkombëtare “Help Hilfe zur Selbsthilfe”. Pyetja nëse kjo organizatë ka pasur projekte me BQK-në, ajo e mbyll shkurt: “Organizata ku ai është i angazhuar nuk ka asnjë lidhje me institucionin ku unë punoj, as në projekte dhe as në ndonjë formë tjetër bashkëpunimi”.

    Portreti i Nesrin Shileku Shalës, pra, është ai i një burokrate që ka kaluar nga roli i mbikëqyrëses së bankave në punonjëse e tyre, për t’u rikthyer përsëri si një prej figurave më të larta të BQK-së.

    Përgjigjet e saj janë të kujdesshme dhe formale.

    Por përtej tyre, mbeten pyetje të hapura: a janë këto thjesht rastësi të karrierës, apo një ilustrim i portës rrotulluese mes rregullatorit dhe të rregulluarve. Dhe kalimit nga mbikëqyrës në punonjës të sektorit që e mbikëqyr, përtej kufizimeve që ka paraparë Ligji. /Gazeta Insajderi./


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark