“LDK-ja në Viti nuk është pronë e një njeriu – është koha ta themi hapur” - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    “LDK-ja në Viti nuk është pronë e një njeriu – është koha ta themi hapur”

    Insajderi
    22 September 2025 - 17:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Opinion: Afrim RAMUSHI, kryetar i nëndegës së LDK-së në Vërban

    Me qëllim të sqarimit të opinionit të gjerë, lidhur me disa të pavërteta që kohëve të fundit po qarkullojnë se gjoja unë vazhdoj të jem bashkëpunëtor i Sokol Halitit, dëshiroj të bëj të qartë se këto janë shpifje të qëllimshme, të fabrikuara nga individë të caktuar, veçanërisht nga njerëz të klanit të tij.

    Dua të nënvizoj se gjatë mandatit të fundit nuk kam qenë i angazhuar në asnjë aktivitet partiak apo shoqëror me të, pasi rrugët tona janë ndarë tashmë prej kohësh, qoftë në aspektin politik, por edhe në atë shoqëror. Unë, si kryetar i nëndegës së LDK-së në fshatin Vërban, kam vazhduar të jem anëtar aktiv i partisë, pavarësisht se nuk pajtohem me sistemin e instaluar nga Sokol Haliti. Ky sistem, në fakt, mund të quhet gjithçka tjetër përveç demokratik, dhe bie ndesh me frymën rugoviane mbi të cilën është ndërtuar LDK-ja.

    Është e ditur për çdo anëtar se ai nuk organizon mbledhje të rregullta të partisë, përveç kur afrohet fushata zgjedhore dhe kur ka interes personal për të mbijetuar në pushtet. Prej kohësh, as kryesia e degës së LDK-së në Viti dhe as nëndegët nuk konsultohen. Përkundrazi, Haliti ka ndërtuar një praktikë të dëmshme duke politizuar drejtorët e shkollave dhe duke i përdorur ata si “kryetarë” të nëndegëve, për t’i shërbyer interesave të tij personale. Jo rrallë, ai i fton në takime para zgjedhjeve, duke i paraqitur ato si takime zyrtare, por në të vërtetë synimi i vetëm është mbledhja e përkrahjes elektorale.

    Ky është realiteti: një kryetar dege që e përdor pozitën për të emëruar e shkarkuar anëtarë të kryesisë, të zgjedhur nga kuvendet zgjedhore, vetëm e vetëm për të heshtur frymën demokratike. Sot, Forumi i Gruas nuk ka një kryetare të zgjedhur me vota, pasi znj. Fatbardha Emini është dorëhequr vite më parë. Aktualisht, ky forum udhëhiqet nga një ushtruese e detyrës e caktuar nga vetë Haliti. E njëjta situatë vlen edhe për Forumin Rinor. Ky model, ku emërimet bëhen sipas dëgjueshmërisë e jo sipas meritokracisë, është i rrezikshëm për vetë frymën demokratike të LDK-së.

    E ndiej për detyrë morale të them publikisht se për vite të tëra kam lobuar me sinqeritet për ta bërë kryetar të komunës, por sot u kërkoj falje të gjithë qytetarëve të Vitisë. Në mënyrë të veçantë, u kërkoj falje bashkëvendësve të mi, të cilët, pas 12 viteve qeverisje të tij, ende vuajnë mungesën e projekteve themelore, sidomos të ujit të pijshëm.

    Gjithashtu, nuk kam qenë dhe nuk jam dakord me shumë projekte të dështuara për shkak të cilësisë së dobët dhe mungesës së masave ndaj përgjegjësve. Këto janë dëshmi të qarta të dështimit menaxherial.

    Për fat të keq, jam i vetëdijshëm se ky opinion nuk do të publikohet nga një pjesë e mediave, sepse ato janë të lidhura financiarisht me pagesat që Haliti u bën në emër të “transparencës”, por në fakt për propagandë personale. Kështu, me paratë e taksapaguesve ngritet një kult i rremë i individit, duke e paraqitur si të paprekshëm.

    Është koha që qytetarët e Vitisë ta kuptojnë këtë realitet dhe të reflektojnë. Demokracia nuk mund të funksionojë mbi frikë, manipulim dhe propagandë, por mbi liri, transparencë dhe përgjegjësi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    13 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark