
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Istogut, Astrit Bujupaj, ka ngritur akuza të ashpra ndaj kryetarit aktual dhe rivalit të tij nga LDK, Ilir Ferati, gjatë një debati televiziv.
Bujupaj tha se qytetarët e Istogut janë të detyruar të kërkojnë ndihmë nga kryetari i komunës edhe për çështje elementare si regjistrimi i fëmijëve në çerdhe.
“Nëse ti për ta regjistruar një fëmijë në çerdhe, duhet të shkosh të kërkosh ndihmë te kryetari, atëherë kjo është, edhe kjo më ka bërë të kuptoj që njëmend ka mundësi, se zhvillimi po bëhet i ngadalshëm në Komunën tonë i qëllimshëm, në mënyrë që të kontrollojnë masën”, u shpreh Bujupaj.
Ai shtoi se kjo qasje ka bërë që shumë banorë të ndihen të pambrojtur dhe të detyrohen të marrin vendime të vështira, duke u shpërngulur në Prishtinë apo edhe në diasporë.
“Kjo që po e them është e vërtetë, e kështu që njerëzit kanë vuajtur shumë dhe nuk janë të gatshëm të vuajnë prapë edhe bëjnë zgjidhje, lëvizin. Lëvizin qoftë në diasporë, qoftë në Prishtinë, se nuk e durojnë trysninë dhe nuk e durojnë presionin, bëjnë zgjidhje të tjera”, ka deklaruar ai në KTV.
Sipas tij, qytetarët e Istogut “nuk janë më të gatshëm të durojnë trysninë dhe presionin” dhe prandaj po kërkojnë alternativa të reja për të ardhmen e tyre.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.