
Disa shtëpi në lagjen Mati 1 të Prishtinës, po përballen me rrezik serioz për shembje. Familjet që banojnë aty kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme ndaj pushtetit aktual të kryetarit Përparim Rama, duke thënë se jeta e tyre po rrezikohet nga rrëshqitjet e dheut, të shkaktuara si pasojë e një ndërtimi të lejuar në këtë zonë.
Halil Xhema, banor i kësaj lagje, ka deklaruar se banorët kanë adresuar ankesa të shumta në Inspektoratin Komunal të Prishtinës kundër kompanisë ndërtuese “Coneng Group”, e cila që nga viti 2024 është duke kryer punimet në lagje.
“Ndërtimi i gropës ka filluar në verën e vitit 2024. Që atëherë, ka nisur rrëshqitja masive e dheut. Nga komuna na kanë premtuar se do të ndërmarrin masa për ta ndalur këtë rrëshqitje, por deri më sot nuk është bërë asgjë. Ne po kujdestarohemi natën bashkë me fqinjët, duke e ruajtur dheun kur rrëshqet. Nga Inspektorati na thanë se kompania duhet të nisë sanimin, sepse dëmi është bërë shumë i madh”, ka thënë Xhema.
Sipas tij, nëse nuk ndërmerren masa urgjente për të stabilizuar terrenin, ekziston rreziku real që shtëpitë të shemben.
“Dheu vazhdon të rrëshqasë drejt shtëpive tona. Kemi bërë dy ankesa me shkrim, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk e dimë çfarë planifikon të ndërmarrë komuna në bashkëpunim me ndërtuesin. Tashmë mendoj se është tepër vonë për ta ndalur rrëshqitjen e dheut”, përfundon ai.