
Asambleisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sami Salihu, dyshohet se e ka sulmuar me shishe qelqi kryesuesin e Kuvendit, Fehmi Kupina, i cili në këto zgjedhje po kandidon me partinë e tij, “Lidhja për Prishtinën”.
Lidhur me rastin ka reaguar kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku.
Ai është shprehur se “Lajmi për dhunë në ambientet e Kuvendit Komunal të Prishtinës është shumë shqetësues”.
Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës sot sulmoi njeriun që udhëheq Kuvendin Komunal, Fehmi Kupina.
“Përveç që është e papranueshme, kjo sjellje shkon kundër parimeve politike, ku dallimet në pikëpamje janë vlerë e shtuar”, tha Çeku, duke u bërë thirrje organeve kompetente që të marrin masa dhe të ndëshkojnë dhunuesit.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, konfirmoi për Insajderin se rasti ka ndodhur rreth orës 10:30, kur policia ka marrë informacion për një rrahje në rrugën “UÇK” në Prishtinë.
“Me të marrë informatën, policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar tre persona të përfshirë në rast”, tha Pllana, duke shtuar se hetimet janë ende në vazhdim.