
Kur Shpend Ahmeti e lansoi në vitin 2020 aplikacionin online për leje ndërtimi, Prishtina u bë komuna e parë në Kosovë që e digjitalizoi këtë procedurë. Sot, pesë vite më vonë, Përparim Rama po e promovon të njëjtin sistem si arritje të tij personale, duke e quajtur “për herë të parë” atë që tashmë ishte realizuar në mandatin paraprak.
Përparim Rama, kryetari aktual i Prishtinës sot ka dal me një njoftim duke thënë se për herë të parë qytetarët tashmë mund të aplikojnë për leje ndërtimi online.
“Për herë të parë qytetarët e Prishtinës aplikojnë për leje ndërtimi online, pa pritë në radhë, pa ardhë në komunë. Ky sistem digjital e përfundon epokën e pritjeve nëpër sportele, ngrit transparencën e lufton korrupsionin. Prishtina, përtej zvarritjeve nëpër sportele”, tha Rama.
Por në fakt sistemi “Aplikacioni online për leje ndërtimi” ishte lansuar që nga koha e Shpend Ahmetit në vitin 2020, duke e bërë Prishtinën komunën e parë në Kosovë dhe në rajon që digjitalizonte procedurën për leje ndërtimi.
Aplikacioni kishte filluar me fazën testuese dhe nga tetori i 2020-ës ishte i aksesueshëm për aplikimin e Kushtet Ndërtimore kategoria 1.
“Sot lansuam sistemin “Aplikacioni online për leje ndërtimi” si Komuna e parë e në Republikën e Kosovës dhe në rajon e cila digjjitalizon procedurën për leje ndërtimi. Përmes këtij aplikacioni do të mundësohet digjitalizimi i tërë procedurave të aplikimit dhe procesit të trajtimit të kërkesave. Deri më tani procedura e trajtimit të kërkesave ka qenë manuale ku palët kanë aplikuar fizikisht në Drejtorinë e Urbanizmit”, kishte njoftuar në vitin 2020 Ahmeti. Insajderi.org