
Avokatja Aurora Mulhaxha ka reaguar publikisht ndaj rritjes së rasteve të vozitjes së pakujdesshme në qytetin e Pejës, duke i drejtuar një thirrje të hapur Policisë së Trafikut për veprim të menjëhershëm.
Përmes një reagimi të publikuar, ajo ka shprehur shqetësimin e saj për numrin në rritje të personave, përfshirë të mitur dhe të rritur, që vozisin mjete motorike pa patentë shoferi, me shpejtësi të lartë, pa respektuar rregullat dhe shpeshherë pa përdorur helmetat mbrojtëse.
“Këto sjellje jo vetëm që përbëjnë shkelje të rregullave të trafikut, por paraqesin rrezik të madh për sigurinë publike, jetën e qytetarëve dhe të vetë vozitësve”, thekson Mulhaxha në thirrjen e saj.
Ky është reagimi i saj:
Të nderuar përfaqësues të Policisë së Trafikut në Pejë,
Përmes kësaj thirrjeje, shprehi shqetësim të thellë lidhur me rritjen e rasteve të vozitjes së pakujdesshme në qytetin tonë. Në veçanti, është vërejtur një numër në rritje i personave – si të mitur ashtu edhe të rritur – që vozisin mjete motorike pa leje të vozitjes, me shpejtësi të lartë, në mënyrë të rrezikshme dhe shpesh pa përdorimin e helmetave mbrojtëse.
Këto sjellje jo vetëm që përbëjnë shkelje të rregullave të trafikut, por paraqesin rrezik të madh për sigurinë publike, jetën e qytetarëve dhe të vetë vozitësve.
Me këtë rast, kerkoje me respekt që Policia e Trafikut në Pejë të ndërmarrë masa të menjëhershme, përfshirë:
• Rritjen e prezencës policore në rrugët dhe lagjet ku këto raste janë më të shpeshta;
• Zhvillimin e kontrolleve të befasishme dhe të rregullta për identifikimin e vozitësve pa leje dhe pa pajisje mbrojtëse;
• Ngritjen e vetëdijes përmes kampanjave sensibilizuese për të rinjtë dhe prindërit;
• Zbatimin e rreptë të ligjit ndaj shkelësve të rregullave të trafikut.
Besoje se përkushtimi i Policisë së Pejës për sigurinë e qytetarëve do të reflektohet edhe në këtë çështje urgjente. Bashkërisht mund të sigurojmë një mjedis më të sigurt për të gjithë.