
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) me një gjobë prej 7,600 eurosh për shkak të veprimeve të kandidatit të saj për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Sipas vendimit të PZAP-së, Rama ka shfrytëzuar hapësirat publike të Komunës së Prishtinës, përkatësisht foltoren e Kuvendit Komunal, për të bërë thirrje qytetarëve që të reflektojnë se për kë duhet të votojnë. Ky veprim është konsideruar si tentativë për të ndikuar në votues dhe për të siguruar shumicë në asamble, gjë që përbën shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore.
Ankesat janë parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës. VV-ja ka raportuar përdorimin e foltores së Kuvendit për qëllime elektorale, ndërsa PDK-ja ka pretenduar se Rama ka paralajmëruar paraqitjen e tij në një emision televiziv duke shfrytëzuar hapësirat komunale.