Shkëlqimi i vazhdueshëm i Xhakës, trajneri i Sunderlandit: Na duhet një kapiten si Graniti - Insajderi
×
  • Sport
  • Sport

    Shkëlqimi i vazhdueshëm i Xhakës, trajneri i Sunderlandit: Na duhet një kapiten si Graniti

    Insajderi
    28 September 2025 - 10:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Jo të gjithë e kuptuan lëvizjen e Granit Xhakës nga nënkampioni i Gjermanisë te skuadra e kthyer në Premier League pas një kohe të gjatë. Por kalimi nga Bayer Leverkuseni te Sunderlandi po del të jetë shumë e qëlluar si për Xhakën ashtu edhe për skuadrën angleze.

    Ndonëse në fillim të kampanjës Sunderlandit i jepeshin pak gjasa për të mbijetuar në Premier League, kjo ka ndryshuar tashmë. Dhe pikërisht falë Xhakës.

    Ai është lider i pakontestueshëm në fushë, ndërsa në gjashtë paraqitje tashmë ka bërë tri asistime në Premier League. Sunderlandi të shtunën fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Nottinghamit, ndërsa asistimin në golin e vetëm e bëri kapiteni i skuadrës, Xhaka.

    Me 11 pikë nga gjashtë ndeshje, Sunderlandi është në rrugë të mirë për të siguruar qëndrimin në elitën angleze. Për këtë qëllim edhe u transferua Xhaka.

    Ai tashmë i ka bërë të gjithë për vete te Sunderlandi, ndërsa e ka respektin e të gjithë të përfshirëve në futbollin anglez.

    “Na duhet një kapiten si Graniti pasi ai na ofron aq shumë. Ai mund të kontrollojë ritmin dhe e kupton ndeshjen si trajner i ardhshëm dhe model i lojtarit. E di si ta menaxhojë ndeshjen në kohë reale”, ka thënë trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, pas fitores së fundit.

    Ndërkohë tifozët e Sunderlandit shkruajnë në superlativ për mesfushorin 33-vjeçar. Mediat e afërta me këtë klub shkruajnë se Xhaka është shndërruar në “transformues” të ekipit.

    “Xhaka është kthyer në lojtarin që ishte Kevin De Bruyne në periudhën më të mirë të tij”, ka shkruar një tifoz.

    “Granit Xhaka është i pabesueshëm. Ende nuk po mund të besoj që luan për Sunderlandin”, ka shkruar një tifoz tjetër.

    “Xhaka duhet të jetë transferimi i stinorit”, “I gjithë ekipi i Sunderlandit punon me motorin e Xhakës… Çfarë lojtari”, “Çfarë asistimi nga Xhaka, klas i Premier Leagues”, “Xhaka është fenomenal, Liga e Konferencës po pret”, janë disa prej postimeve tjera për Xhakën.

    Vetë Xhaka ka thënë se skuadra shfaqi atë që i duhej në ndeshjen ndaj Nottingham Forestit.

    “Ne kishim planin e lojës dhe e kemi ditur se do të jetë shumë vështirë këtu. Por çfarë mentaliteti nga ekipi. Pikërisht kjo na është dashur. Përkrahja e tifozëve ishte e shkëlqyer. Është mirë të fitosh kështu. Natyrisht Nottinghami ishte ekip më i mirë sot, por futbolli nuk ka të bëj me atë se kush është më i mirë në fushë, ka të bëj me atë se kush shënon më shumë gola. Ne kemi fituar dhe jemi shumë të lumtur”, ka theksuar Xhaka.

    Ai ka thënë se po punon çdo ditë që t’u tregojë lojtarëve të tjerë se sa profesionalë duhet të jenë në këtë nivel. Ai është shumë i kënaqur me mentalitetin e skuadrës.

    “Na presin shumë gjëra, por unë jam i lumtur që jam këtu me këtë ekip dhe këtë klub të futbollit”, ka theksuar Xhaka./Koha/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark