Posta e Kosovës emeton pulla postare për Faunën Endemike në Ditën Botërore të Lumenjve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Posta e Kosovës emeton pulla postare për Faunën Endemike në Ditën Botërore të Lumenjve

    Insajderi
    28 September 2025 - 10:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Posta e Kosovës, përmes Filatelisë me rastin e Ditës Botërore të Lumenjve, emetoi sot emisionin e ri të pullave postare “Fauna endemike”.

    Sipas njoftimit të Postës së Kosovës, ky emetim vjen nga gjetja dhe përshkrimi i katër llojeve të reja të insekteve ujore endemike, derisa shton se për territorin e Kosovës ky zbulim përbën një arritje të veçantë në fushën e shkencave natyrore dhe të ruajtjes së biodiversitetit.

    “Ky zbulim është rezultat i një pune të përkushtuar ekipore të studiuesve të entomologjisë, të cilët, përmes kombinimit të hulumtimeve në terren dhe analizave laboratorike, kanë arritur t’i identifikojnë këta organizma të rrallë dhe shumë të rëndësishëm. Përveç vlerës së tyre shkencore, këto gjetje përfaqësojnë edhe një thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit mbi mbrojtjen e ekosistemeve të brishta ujore në Kosovë”, thuhet tuje në njoftim.

    Më poshtë gjeni përshkrimin e Postës së Kosovës për zbulimin e katër llojeve të reja të insekteve ujore endemike:

    Rhyacophilasiparantum – u zbulua në vitin 2021 në një përroskë në fshatin Bogë të Pejës. Ky lloj ka rol të rëndësishëm në pastrimin e ujërave, me ç’rast edhe përballet me rrezikun e zhdukjes, për shkak të degradimit të habitatit nga ndërtimet infrastrukturore. Emri lidhet me emërtimin e vjetër të Pejës.

    Tinodes Lumëbardhi – u zbulua në një degë të Lumëbardhit të Deçanit në vitin 2025. Është gjetur me vetëm disa individë, pasojë e ndotjes së rëndë të lumit. Emri i tij lidhet drejtpërdrejt me lumin ku është identifikuar, duke theksuar rolin e tij ekologjik.

    Drusus Dardanicus – është zbuluar në vitin 2015 në Bollosicë të Podujevës dhe më vonë në disa degë të lumit Llap. Ky lloj rrezikohet nga prerja e pyjeve dhe degradimi i zonave burimore. Emri vjen nga qyteti i lashtë “Municipium Dardanicum”, ndërsa funksioni i tij kryesor lidhet me mbajtjen e pastërtisë së burimeve ujore.

    Potamophylax Kosovaensis – është zbuluar në zonën e Bajgorës në vitin 2025. Numri i ulët i tyre dëshmon për presionet e shumta ndaj mjedisit në atë zonë. Emri i tij i referohet Kosovës, duke e lidhur drejtpërdrejt me vendin ku është gjetur.

    “Posta e Kosovës, përmes pullave postare, mbështet mbrojtjen e faunës endemike dhe njëkohësisht promovon pasuritë e Republikës së Kosovës në botë. Ftojmë koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët që ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë emision të veçantë filatelik”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark