
Kandidatja për Kuvendin Komunal të Gjilanit nga lista e PDK-së, Mrika Krasniqi Shala, ka shprehur bindjen e saj të thellë se diaspora është një nga asetet më të mëdha për zhvillimin e komunës së Gjilanit.
Në një deklaratë, Krasniqi Shala theksoi se përveç remitancave që mbështesin familjet e qytetarëve, ajo ka një plan konkret për ta shndërruar diasporën në një partner të vërtetë zhvillimor për Gjilanin. Ajo ka propozuar krijimin e mekanizmave të qartë për ta angazhuar diasporën në investime produktive dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Ne do të krijojmë mundësi për investime të përbashkëta në biznese të reja dhe sektorë strategjikë, si dhe do të organizojmë fonde zhvillimore me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të diasporës,” tha Krasniqi Shala.
Po ashtu, ajo ka paralajmëruar krijimin e një platforme digjitale që do të lidhë diasporën me komunën dhe bizneset vendore, duke mundësuar investime dhe projekte të përbashkëta.
Ajo ka theksuar se diaspora nuk duhet të jetë vetëm një mbështetëse e votës, por duhet të jetë partner i rëndësishëm në zhvillimin e përbashkët të komunës dhe krijimin e një ekonomie të fuqishme, që sipas saj, i mungon Gjilanit.
“Nëse do të marr besimin e qytetarëve për të qenë pjesë e Kuvendit Komunal, do të jem zëri juaj për një Gjilan më të zhvilluar,” shtoi Krasniqi Shala.