AUV: Parazitët në peshk nuk janë rrezik, asgjësohen gjatë gatimit mbi 60°C - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    AUV: Parazitët në peshk nuk janë rrezik, asgjësohen gjatë gatimit mbi 60°C

    Insajderi
    28 September 2025 - 17:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se prania e parazitëve të llojit Anisakis simplex në peshkun që importohet në Kosovë nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rast se peshku është i ngrirë. Sipas AUV, peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60 gradë Celsius.

    “Theksojmë qartë: Prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje. Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

    Agjencia sqaron se incidente të mundshme mund të paraqiten vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët (të pa ngrirë), i cili nuk është trajtuar fare me nxehtësi apo ngrirje, veçanërisht në përgatitje të tilla si crudo, sushi apo sashimi.

    “Kjo nuk është vetëm praktikë e vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së apo Kanadasë, por është e përcaktuar qartë edhe në legjislacionin e Kosovës, të harmonizuar me direktivat e BE-së për sigurinë ushqimore. Këto standarde janë të bazuara në studime të shumta shkencore dhe në rekomandimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si: EFSA (Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore), FAO (Organizata e OKB për Ushqim dhe Bujqësi)”, thuhet më tej në njoftim.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark