
Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar si shkak i një aksidenti mes një autobusi dhe një veture në rrugën Suharekë-Shtime përgjatë së dielës.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi. Ai bëri të ditur se një pasagjer i veturës ka humbur jetën në vendngjarje, ndërkaq dy të lënduar tjerë janë dërguar për trajtim në Spitalin e Prizrenit.
“Si pasojë e aksidentit, një pasagjer i automjetit ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa dy të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Prizrenit. Nga të dhënat e para dyshohet se automjeti BMË ka humbur kontrollin dhe është përplasur me autobusin”, bëri të ditur Bytyqi.
Bytyqi shtoi se Suharekë-Shtime është e bllokuar për qarkullim deri në përfundim të ekzaminimeve nga policia.