Deklarata e Sveçlës për dronët serb, KFOR flet për Insajderin: Ne nuk kemi identifikuar shkelje - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Deklarata e Sveçlës për dronët serb, KFOR flet për Insajderin: Ne nuk kemi identifikuar shkelje

    Insajderi
    29 September 2025 - 13:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Javën e kaluar u ngrit alarmi se Serbia ka shkelur hapësirën ajrore të Kosovës përmes dronëve. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se Beogradi zyrtar ka shkelur hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës me disa dronë

    E drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se ditëve të fundit ka pasur fluturime të dronëve, të cilët dyshohen se vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore. Ndërsa ka pohuar se policia është në kontakt me KFOR-in dhe se po e monitorojnë situatën.

    Në përgjigje për gazetën Insajderi, zyra për Marrëdhënie me Publikun e KFOR-it thotë se nuk kanë identifikuar një shkelje të tillë mbi hapësirën ajrore të Kosovës.

    “Sa i përket pyetjes suaj, ne nuk kemi identifikuar shkelje nga dronët që mund të ndikojnë në sigurinë në gjithë Kosovën. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, prandaj KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe kapaciteteve që ka në dispozicion.

    Është thelbësore që të gjitha aktivitetet në hapësirën ajrore, veçanërisht afër vijës kufitare administrative, të koordinohen siç duhet me KFOR-in për të shmangur tensionet dhe për të siguruar sigurinë.

    KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë. Ai vazhdon aktivitetet e tij të përditshme, duke kontribuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë nga OKB-ja, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë”, thuhet në përgjigjen e KFOR’it për Insajderin.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark