Fotografia e Vjosa Osmanit me presidentin argjentinas nxit debat në Argjentinë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Fotografia e Vjosa Osmanit me presidentin argjentinas nxit debat në Argjentinë

    Insajderi
    30 September 2025 - 09:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar presidentin e Argjentinës, Javier Milei, gjatë pritjes së organizuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, në kuadër të aktiviteteve përcjellëse të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

    “Në pritjen e presidentit Trump në New York, krah liderëve të tjerë botërorë – diskutime të rëndësishme në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë!”, shkroi Osmani në “Facebook” të shtunën në mbrëmje, pa dhënë detaje specifike.

    Fotografia e Osmanit me Milein ka nxitur debat në Argjentinë, për shkak se ky vend refuzon ta njohë Kosovën.

    Qëndrimi i Buenos Aires ka qenë i qartë që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë: autoritetet argjentinase e kanë kundërshtuar njohjen, duke e cilësuar një precedent të rrezikshëm për çështjen e Ishujve Falkland.

    “Përbuzje ndaj Ishujve Malvinas. Milei në OKB u fotografua – buzagaz – pranë përfaqësueses së Kosovës, duke refuzuar qëndrimin tonë historik mbi integritetin territorial”, shkroi ish-Ministri i Jashtëm, Santiago Cafiero, duke përmendur edhe misionin paqeruajtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ishujt Falkand.

    Ish-sekretari i Ishujve Falkland, Guillermo Carmona, reagoi gjithashtu pas fotografisë të dy liderëve, duke kritikuar presidentin argjentinas: Argjentina pretendon sovranitet mbi ishujt, duke i konsideruar pjesë të territorit të saj historik, kurse Britania e Madhe administron ishujt dhe i konsideron pjesë të territorit të saj jashtëkontinental.

    “Është jashtëzakonisht serioze që Milei është fotografuar – dhe ndoshta ka zhvilluar një takim – me dikë që pretendon të jetë president i një entiteti që Argjentina nuk e njeh si shtet, duke kundërshtuar qëndrimin tonë në lidhje me integritetin territorial”.

    Në të kaluarën, emri i Kosovës është përdorur nga presidenti argjentinas vetëm në kontekste metaforike. Milei ka përdorur shprehjen “Esto es Kosovo/Kjo është Kosova” për të ilustruar një gjendje të çrregullt. Megjithatë, këto referenca kanë qenë jashtë kontekstit diplomatik dhe nuk përbëjnë qëndrim të artikuluar politik për Kosovën.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark