
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se të martën do të zhvillojë një takim me drejtuesit më të lartë të ushtrisë amerikane, duke theksuar se nuk do të hezitojë t’i shkarkojë menjëherë ata që nuk i pëlqejnë.
“Do të takohem me gjeneralë, admiralë dhe liderë të ushtrisë, dhe nëse nuk më pëlqen dikush, do ta shkarkoj në vend,” tha ai, sipas agjencisë “Reuters”.
Takimi pritet të mbahet të premten në një mbledhje të pazakontë afër Uashingtonit, ku do të marrin pjesë qindra drejtues ushtarakë nga vende të ndryshme të botës. Trump do të shoqërohet nga sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Ftesa e bërë me një njoftim të shkurtër javën e kaluar nuk u shoqërua me ndonjë arsye zyrtare, duke hapur rrugë për spekulime të shumta. Ndërkohë, nënpresidenti JD Vance është përpjekur ta minimizojë rëndësinë e takimit.
Mbledhja do të mbahet në bazën ushtarake “Quantico” në Virgjinia, nën masa të shtuara sigurie.
Duke konfirmuar pjesëmarrjen, Trump e cilësoi ngjarjen si një mundësi për diskutime pozitive: “Do të jetë vërtet një takim shumë i bukur, ku do të flasim për sukseset tona ushtarake, për gjendjen tonë të shkëlqyer dhe për shumë gjëra të mira”.