
Gjykata Supreme me vendimin e 22 korrikut 2025 ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së mbrojtjes së të dënuarit Qëndrim Januzi, duke ia vërtetuar këtij të fundit dënimin me 17 vjet burgim për akuzën se privoi nga jeta G.H., në maj të 2022-ës në Ferizaj.
“Refuzohet si e pabazuar kërkesa e mbrojtësit të dënuarit Qëndrim Januzi për mbrojtje të ligjshmërisë, e paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, …,datë 30 prill 2024″, thuhet në vendimin e Supremes.
Gjykata Themelore në Ferizaj përmes aktgjykimit të 30 prillit 2024, Qëndrim Januzin e dënoi me 17 vjet burgim. Vendimi u vërtetua nga Gjykata e Apelit.
Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka ushtruar mbrojtësi i të dënuarit Januzi, avokati Florin Vërtopi, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe shkeljeve tjera të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimeve gjyqësore.
Vërtopi kishte propozuar që të aprovohet kërkesa si e bazuar, kurse aktgjykimet e kundërshtuara të ndryshohen dhe që i dënuari të shpallet fajtor për veprën penale të “Vrasjes së kryer në gjendje të afektit mendor”, dhe ndaj tij të shqiptohet një dënim me i butë, ose në rast se kjo Gjykatë konsideron se në veprimet e të dënuarit qëndrojnë elementet e vrasjes, atëherë ndaj tij të shqiptohet një dënim shumë më i butë apo të anulohen dhe lënda të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Kurse, Prokurori i Shtetit me parashtresën e 27 janarit 2025, ka propozuar që kërkesa të refuzohet si e pabazuar, raporton Betimi për Drejtësi.
Në vendimin e Supremes, thuhet se kjo Gjykatë fillimisht e sheh të nevojshme të theksojë se pretendimet e mbrojtësit se në asnjë moment nuk është vënë në rrezik jeta e dëshmitarit Maliq Latifi, dhe personave tjerë dhe se nga ana e të dënuarit nuk ka pas përgatitje për kryerjen e vrasjes ndaj tani të ndjeri, nuk do të jenë objekt shqyrtimi.
Kjo pasi që gjykata nuk e ka shpallur fajtor të dënuarin për veprën penale të “Vrasje së rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar.1.5 të Kodit Penal, për të cilën është akuzuar, por veprën penale të “Vrasjes” nga neni 172 të Kodit Penal.
Sipas Supremes, në rastin konkret është vërtetuar pa mëdyshje se në momentin kritik objektivisht nuk kishte sulm, fyerje apo keqtrajtim nga ana e tani të ndjerit.
Ky fakt, sipas vendimit të Supremes, vërtetohet nga video-incizimi i vendit të ngjarjes, nga i cili rezulton se në momentin kritik tani i ndjeri ishte se bashku me dëshmitarin Latifi, duke biseduar dhe po qëndronin para dyqanit, kur papritur afrohet Januzi me revole në dorë në drejtim të viktimës, dhe me t’u afruar tek ai, Januzi me dorën e majtë e largon dëshmitarin, pastaj shtie gjashtë herë në tani të ndjerin me armë zjarri.
Supremja ka theksuar se ka qenë i paqartë pretendimi i mbrojtjes lidhur me lartësinë e dënimit, pasi që kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë nuk mund të ushtrohet për shkak të vendimit për dënim.
Sipas aktakuzës, më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri Qëndrim Januzi, me dashje dhe përgatitje paraprake kishte privuar nga jeta tani të ndjerin G.H dhe me atë rast kishte vënë në rrezik edhe jetën e Maliq Latifit, i cili kishte qenë para hyrjes së marketit si dhe të personave tjerë brenda në market.
Në aktakuzë, thuhet se pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tani të panndehurit për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me të takuar tani të ndjerin ka shtënë gjashtë herë në drejtim të tij me armë zjarri dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra, G.H ndërron jetë siç ishte konstatuar në raportin e autopsisë të datës 22 gusht 2022, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila kishte ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.
Me këtë, Januzi akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal.
Sipas dispozitivit II të kësaj aktakuze, i pandehuri Januzi akuzohej se nga koha e pacaktuar e deri më 28 maj 2022, në Ferizaj, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H”, me një karikator me kapacitet prej 8 fishekëve, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta është sekuestruar.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.