Osmani udhëton drejt Danimarkës për samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani udhëton drejt Danimarkës për samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian

    Insajderi
    01 October 2025 - 09:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Danimarkës për të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili po mbahet në Kopenhagë dhe mbledh rreth 45 liderë evropianë, përfshirë përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian.

    Sipas njoftimit nga Presidenca, para nisjes së punimeve të samitit, Presidentja Osmani do të pritet në një ceremoni zyrtare nga Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës. Ajo do të marrë pjesë në të dy sesionet kryesore të këtij edicioni të EPC-së, ku në fokus do të jenë çështjet më të rëndësishme të sigurisë dhe politikës evropiane.

    “Gjatë samitit, Presidentja Osmani do të jetë pjesë e tryezës së diskutimit për sfidat e sigurisë me të cilat po përballet kontinenti, si kërcënimet hibride dhe provokimet nga Rusia ndaj vendeve anëtare të NATO-s. Liderët do të diskutojnë për mënyrat e rritjes së gatishmërisë mbrojtëse dhe shfrytëzimit të momentit politik për vendimmarrje strategjike”, thuhet ne njoftim.

    Përveç pjesëmarrjes në diskutimet plenare, thuhet se Presidentja pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë pjesëmarrës në këtë samit.

    Komuniteti Politik Evropian, i krijuar në vitin 2022, synon të shërbejë si platformë për forcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike mes vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj, duke adresuar sfida të përbashkëta dhe thelluar bashkëpunimin në mbarë kontinentin.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark