Kuvendi i KMShK-së mori vendim për 7 ankesa - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kuvendi i KMShK-së mori vendim për 7 ankesa

    Insajderi
    01 October 2025 - 09:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej shtatë ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohet një nga to, dy të miratohen pjesërisht, dy të refuzohen, një të shpallet e pajtrajtueshme dhe një e paafatshme.

    Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit III – Nxitja dhe gjuha e urrejtjes, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur dhe Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve.

    KMShK ka miratuar ankesën e Arsim Halilit kundër Kallxo.com për shkrimin me titull “Reagim ndaj fushatës shpifëse për kontratën e vitit 2017 mes BIRN-it dhe RTK-së”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.

    KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Albinot Bimbashit kundër Kosovalive.net për shkrimin me titull “Skandaloze: Pjesëtarët e diasporës së Kosovës që jetojnë në Austri janë duke u përballur me shumë telashe”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, por jo edhe Kapitulli III, i cili ka të bëjë me nxitjen e gjuhës së urrejtjes, siç pretendon pala ankuese.

    KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Telekomit të Kosovës Sh.A. kundër Shenjester.net për shkrimin me titull “Telekomi e konfirmon raportimin e Shenjestrës për ‘tagjinë’ e Kurtit ndaj mediave, duke dashur ta demantojë atë” dhe video komentin në faqen zyrtare në Facebook me titull “Tagjia e Kurtit për mediat”, duke konstatuar se është shkelur pjesërisht Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.

     KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Rilind Gërvallës kundër Nacionale.com për shkrimin me titull “RTK-ja e largoi nga lajmet qendrore redaktorin Visar Krasniqi, veç pse e citoi intervistën e Thaçit në Klan Kosova”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

    KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Vlora Bajramit kundër Kallxo.com për fotografinë në shkrimin me titull “Avokatja nuk i kishte shkresat e lëndës – shtyhet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Rinor Grajqevci”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me mbrojtjen e privatësisë, ashtu siç pretendon pala ankuese.

    KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Zize Pajazitit, përfaqësuar nga avokati Shkelzen Behrami, kundër televizionit Klan Kosova, duke konstatuar se nuk ka kompetencë të trajtojë këtë rast. KMShK udhëzon palën që t’i drejtohet Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), institucion që i ka në kompetencë përmbajtjet mediale të cilat nuk publikohen në media të shkruara dhe online.

    KMShK e ka shpallur të paafatshme ankesën e Zize Pajazitit, përfaqësuar nga avokati Shkelzen Behrami, kundër Gazetaexpress.com për shkrimin me titull “Skandali thellohet: Vajza të tjera të showbiz-it takime ‘speciale’ në burgun e Reçit me grupin Bajri”, për të cilin pala ankuese konsideron se është në kundërshtim me kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

     Po ashtu, KMShK ka suspenduar anëtarësinë e disa mediave (Fakteplus.net, Kosovalive.org, New-perspektiva.org, Sporti1.com, Tribunashqiptare.info) për shkak të ndërprerjes së funksionimit, si dhe të Shqip.com, për shkak se tashmë funksionon me bazë në një shtet tjetër.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark