“Po punojmë intensivisht për t’i kapur të dyshuarit” – tash e dy muaj Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij në arrati për vrasjen e trefishtë në Gjilan - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    “Po punojmë intensivisht për t’i kapur të dyshuarit” – tash e dy muaj Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij në arrati për vrasjen e trefishtë në Gjilan

    Insajderi
    01 October 2025 - 11:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Më 10 gusht, qyteti i Gjilanit u trondit nga një krim i rëndë që ndodhi në mesditë, rreth orës 12:32, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Nga të shtënat me armë zjarri, mbetën të vrarë tre persona dhe një tjetër u plagos. Si të dyshuar kryesor për këtë ngjarje të rëndë janë; Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra.

    Kanë kaluar afro dy muaj nga dita e tragjedisë, por pavarësisht kërkimeve të Policisë së Kosovës, të dyshuarit ende nuk janë lokalizuar e as arrestuar, shkruan Insajderi.

    “Bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të të dyshuarve, kërkojmë bashkëpunim nga qytetarët dhe mediat”, thuhej në njoftimin zyrtar të policisë.

    Policia ka publikuar edhe fotografitë e tyre dhe u bën thirrje qytetarëve që të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast se kanë informacione për vendndodhjen e tyre, përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit “Lajmëro Policinë”, e-mailit zyrtar apo numrave kujdestarë 192 dhe 03850807001.

    Viktima të kësaj ngjarjeje të rëndë ishin babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, argjendarë të njohur në Gjilan, si dhe Abedin Hoxha.

    E kaluara e Mefail Shkodrës

    Rasti tragjik në Gjilan, ku tre persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos, nuk është përplasja e parë e Mefail Shkodrës me ligjin.

    Gjatë viteve 2000 – 2023, Policia e Kosovës ka regjistruar pesë raste penale ndaj Shkodrës.

    Katër prej tyre përfunduan me ngritje aktakuzash: PP.II.300/2005, PP.II.394/2011, PP.II.1091/2014 dhe PP.I.154/17, ndërsa rasti i fundit, PP.II.913/2023, u mbyll përmes procedurës së ndërmjetësimit.

    Ndërkaq, përgjatë 2024-ës, Shkodra u arrestua gjatë një operacioni të gjerë të Policisë së Kosovës në tri rajone për veprat penale të “Fajdes” dhe “Detyrimit”.

    Në këtë operacion u arrestua edhe një tjetër person, ndërsa një i tretë u shpall në kërkim.

    Sipas Prokurorisë së Gjilanit, dëmi financiar i shkaktuar arrinte mbi 600 mijë euro. Viktimat raportuan kërcënime dhe presion të vazhdueshëm për shlyerjen e borxheve me kamata të larta dhe në mënyrë të paligjshme.

    Përtej përplasjes me ligjin, Shkodra ka qenë aktiv në rrjetet sociale, ku shpesh publikonte fotografi me vetura luksoze dhe stil jetese ekstravagante.

    Në disa raste shfaqej në praninë e figurave politike të njohura, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Prishtinës Përparim Ramën dhe ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla.

    Por, si arritën që Mefail dhe djemtë e tij të arratisen nga burgu?

    Drejtori rajonal i Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, ka bërë të ditur se për vrasjen e trefishtë në qytet, policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për lokalizimin dhe arrestimin e personave të dyshuar, të cilët aktualisht ndodhen në arrati.

    Në një konferencë për media, Rukiqi shtoi se hetuesit kanë informacionet për lëvizjet e të dyshuarve pas ngjarjes, përfshirë edhe pamjet e kamerave, por detaje të mëtejshme nuk mund t’i bëjë publike.

    “Fillimisht ata kanë lëvizë në këmbë, nuk mund të japim informacione më shumë”, tha Rukiqi, duke theksuar se policia po punon intensivisht për kapjen e tyre.

    Pas arratisjes, Inspektorati Policor i Kosovës njoftonte se ka suspenduar katër zyrtarë policorë lidhur me rastin.

    Policët e suspenduar dyshoheshin për lëshim ose përfshirje të mundshme gjatë veprimtarisë kriminale të Mefail Shkodrës me djemtë e tij, të cilët janë arratisur, pasi kanë kryer vrasjen e trefishtë, në qendër të Gjilanit, në pikë të ditës.

    Çka thotë Prokuroria për të kaluarën penale të Mefail Shkodrës?

    Pas vrasjes së trefishtë në Gjilan, ku të dyshuar kryesor mbetet Mefail Shkodra së bashku me dy djemtë e tij, Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje lidhur me të kaluarën e tij penale.

    Sipas njoftimit zyrtar, që nga viti 2000 e deri më sot, ndaj Shkodrës janë iniciuar pesë raste penale nga Policia e Kosovës.

    Në katër prej tyre janë ngritur aktakuza konkrete, sipas lëndëve PP.II.300/2005, PP.II.394/2011, PP.II.1091/2014 dhe PP.I.154/17. Ndërkaq, rasti i fundit, PP.II.913/2023, është mbyllur përmes procedurës së ndërmjetësimit.

    Për dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjëll Shkodra – të cilët janë gjithashtu të dyshuar në këtë rast – Prokuroria bën të ditur se nuk ka asnjë procedim penal të regjistruar deri më tani.

    Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se për kapjen e Shkodrës dhe dy djemve të tij janë ndërmarrë hapa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar të gjitha pikat kufitare.

    Sipas Prokurorit të rastit, Mefail Shkodra ka precedent penal prej më shumë se 30 veprash, duke përfshirë sulm, prishje të rendit, fajde, mashtrim, kërcënim, shantazh dhe detyrim, si dhe pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark