
Ambasada amerikane në Kosovë ka njoftuar se si shkak i mungesës së fondeve, llogaria në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht dhe tha se shërbimet e planifikuara për pasaporta dhe viza në Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë gjatë mungesës së fondeve, sipas situatës.
“Për shkak të mungesës së fondeve, kjo llogari në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht derisa të rifillojnë operacionet e plota, me përjashtim të informacionit urgjent të sigurisë. Në këtë kohë, shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave në Shtetet e Bashkuara dhe në ambasadat dhe konsullatat e SHBA-së jashtë vendit do të vazhdojnë gjatë mungesës së fondeve, sipas situatës. Ne nuk do ta përditësojmë këtë llogari derisa të rifillojnë operacionet e plota, me përjashtim të informacionit urgjent të sigurisë”, ka shkruar ambasada.
Për herë të parë në shtatë vite, qeveria federale e SHBA është futur zyrtarisht në një mbyllje administrative, pas dështimit të Kongresit për të arritur një marrëveshje mbi buxhetin.
Përplasjet mes republikanëve të mbështetur nga Donald Trump dhe demokratëve penguan miratimin e një projektligji të përkohshëm. Si pasojë, miliona punonjës federalë përballen me pezullime, vonesa pagash dhe pasiguri për të ardhmen.