
194.8 milionë euro ka tërhequr Banka e Shqipërisë në pjesën e parë të këtij viti.
Blerjet e valutës të realizuara nga Banka e Shqipërisë kanë pasur si synim rënien e kursit të këmbimit Euro-Lek gjatë këtij viti por mesa duket edhe ndërhyrja nuk ka dhënë efekte konkrete.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro këmbehej me 98 lekë gjatë tremujorit të dytë për të pësuar një rënie të mëtejshme gjatë sezonit të verës. Gjatë tremujorit të tretë të vitit, kursi pësoi rënie të mëtejshme, duke shënuar një minimum të ri historik prej 96 lekësh gjatë shtatorit
Blerja e eurove në treg nga Banka Qendrore realizohet edhe për të rritur rezervën valutore të këtij institucioni.
Rritja e rezervës valutore ka si synim mbrojtjen e ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve të jashtme, si luhatjet e çmimeve në tregjet globale apo tensionet gjeopolitike por njëkohësisht rrit besueshmërinë e vendit në sytë e investitorëve të huaj.
Megjithatë nëse bëjmë një krahasim të blerjes së euros në treg me të njëjtën periudhë të një viti më parë ato janë më të ulëta. Banka e Shqipërisë bleu 271.8 milionë euro në tregun e brendshëm në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Të dhënat tregojnë se përgjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë ka programuar gjithsej 22 ankande për blerje valute ndërsa deri më tani janë zhvilluar 17 të tilla.
Për shkak të fluksit të lartë të euro në qarkullim tërheqja më e madhe e valutës është realizuar në pikun e sezonit turistik të verës.
Në total gjatë vitit 2025 Banka Qendrore ka programuar që të blejë me anë të ankandeve 270-350 milionë euro, ose 20 milionë euro më shumë krahasuar me objektivin e vitit 2024/abcnews.al