
Policia e Kosovës ka arrestuar tre të mitur në veri të Mitrovicës, si të dyshuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga PK’ja me anë të një njoftimi për media, ku thuhet se tre të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht viktimën në rrugën “Lola Ribar” dhe e kishin kanosur nipin e tij të mitur, shkruan Insajderi.
“Arrestimi i tre të dyshuarve është bërë mbi dyshimet e bazuara se ata janë të përfshirë në rastin e raportuar më 28 Shtator në Mitrovicë Veri, kur ankuesi kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht derisa po lëvizte në rrugën “Lola Ribar” dhe të njëjtit gjithashtu kishin kanosur nipin e tij të mitur, ankuesi pas rastit kishte pranuar edhe trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.
PK tutje bën të ditur se të dyshuarit janë intervistuar dhe iu është iniciuar rast për veprat penale “lëndim i lehtë trupor” dhe “kanosje”.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e dhunës dhe sigurinë e qytetarëve, gjithashtu i inkurajon qytetarët që të raportojnë rastet e ngjashme në mënyrë që të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore. /Insajderi.org/