
Meteorologu Besim Aliu ka njoftuar se nga mbrëmja e së mërkurës në disa zona malore të Kosovës kanë nisur reshjet e borës.
Sipas tij, në disa prej këtyre zonave, shtresa e borës ka arritur deri në 5 centimetra.
“Në viset e ulëta, për shkak të temperaturave pozitive që po mbizotërojnë, kemi vetëm reshje shiu. Reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme dhe nesër. Të shtunën, gjatë pjesës së parë të ditës, do të ketë reshje, por ato do të ndalen dhe më pas pritet një rritje e temperaturave”, ka deklaruar ai.
Meteorologu theksoi se ekziston mundësia për reshje bore edhe në viset e ulëta, nëse temperaturat bien më tej.
Ai gjithashtu ka bërë apel për kujdes të shtuar nga ngasësit që lëvizin në zonat malore, për shkak të dukshmërisë së ulët dhe kushteve të pafavorshme në rrugë.
Megjithatë, lajmi i mirë vjen për javën e ardhshme. Sipas Aliut, temperaturat pritet të rriten ndjeshëm, duke arritur deri në 20 gradë Celsius në disa zona të vendit.