
Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë një krahasim shokues mes projektit për Kompleksin e Adem Jasharit dhe tenderin e dyshuar korruptiv të Arkitektit të Kryeqytetit.
Rama, duke tentuar të shpjegojë se si po e kursen buxhetin e shtetit, deklaroi se përderisa Qeveria ka ndarë tetë milionë euro për vetëm një projekt, Komuna e Prishtinës me Arkitektin e Kryeqytetit ka realizuar 65 projekte me pesë milionë euro, shkruan Insajderi.
“Kontrata e Arkitektit të qytetit është kontratë kornizë tri-vjeçare. Edhe ne mundemi me shfrytëzu sa të ka nevojë kryeqyteti. Deri tash e kemi shfrytëzu rreth 5 milionë, pra nuk është 12 milionë, është 5 milionë e shfrytëzuar deri tash. Si rezultat kemi bërë më shumë se 65 projekte për kryeqytetin. Pra, kryeqyteti faktikisht, e kemi edhe publikimin e projekteve këtu të cilat janë bërë. Kryeqyteti kurrë nuk ka pasë vizion as mision edhe projekte tash të gatshme për transformim. Shumicën e tyre jemi duke i transformu. Tash shiko këtë në relacion me qeverinë çka bën. Qeveria e ka paguar vetëm një projekt 8 milionë, derisa ne i kemi bërë tash përmbi 65 projekte me rreth 5 milionë“, deklaroi Rama.