
Fushata zgjedhore e kandidatit të LDK-së për kryetar të Suharekës, Ardian Shala, ka vazhduar me takime të shumta në fshatrat Studençan dhe Dobërdelan, ku qytetarët i dhanë mbështetje të gjerë platformës së tij për zhvillim e ndershmëri në qeverisje.
Në Studençan, Shala u prit nga një numër i madh banorësh, të cilët, siç tha ai, “kanë vendosur për ndryshim”.
Ai foli hapur me qytetarët për sfidat e përditshme: mungesën e mbështetjes për bujqit, infrastrukturën e lënë në harresë dhe nevojën që të rinjtë të kenë perspektivë në vend, jo jashtë tij.
“Studençani dhe e gjithë Suhareka meritojnë më shumë. Me programin e LDK-së, do t’i japim fund ngecjes duke sjellë zhvillim, ndershmëri dhe shpresë për çdo familje,” tha Shala, duke ftuar qytetarët që më 12 tetor të hapin së bashku “faqen e re për Studençanin dhe për Suharekën”.
Edhe në Dobërdelan, kandidati i LDK-së u prit nga një tubim i madh qytetarësh, që sipas tij tregoi qartë se “ndryshimi është i pashmangshëm”.
Shala ndau me banorët vizionin për një Suharekë që i kthen fshatrat në motorë të zhvillimit, mbështet bujqësinë, investon në infrastrukturë moderne dhe u jep të rinjve arsye për të qëndruar në vendlindje.
“Dobërdelani ka vendosur: më 12 tetor, bashkë e hapim faqen e re të Suharekës”, deklaroi Shala.