
Një nga figurat më të njohura shqiptare në frontet e Sirisë, Ebu Katade Albani, ka shpërndarë një tekst të gjatë ideologjik nga Idlibi më 29 shtator 2025, ku shpall hapur armiqësinë ndaj demokracisë dhe përkrahjen e një modeli tjetër sundimi: aristokracinë dhe udhëheqjen fetare.
Dokumenti, që ngjan më shumë me një manifest politik-fetar, është një sulm frontal ndaj demokracisë, e cila për Albanin nuk është shpresë për liri e drejtësi, por një projekt djallëzor i Perëndimit dhe masonëve për të skllavëruar popujt.
“Demokracia nuk është gjë tjetër përpos se një padrejtësi e ligjësuar”
Albani e nis tekstin e tij duke e cilësuar demokracinë si mashtrim. Fasada e drejtësisë dhe barazisë, sipas tij, nuk është tjetër veçse padrejtësi e veshur me ligj.
“Palca kurrizore e mashtrimit është vota e lirë”
Ai sulmon votën e lirë si mekanizmin kryesor të manipulimit. Për Albanin, kjo e drejtë nuk fuqizon popullin, por zhvesh elitën e ditur dhe ia jep pushtetin turmës së papjekur.
“Rezultati në fund është që mposhten të diturit dhe të ndershmit, kurse ngrihen të paditurit, të pandershmit dhe servilët”
Për të, ky është produkti final i çdo sistemi demokratik: të ndershmit bien, ndërsa ngrihen mashtruesit dhe servilët.
“Serviliteti është çështja më e çmuar e Perëndimit”
Albani beson se demokracia është ndërtuar për të prodhuar liderë të shitur ndaj Perëndimit, të paaftë për të mbrojtur popullin e tyre.
“Demokracia është kurdisur sikurse sita, ku largohen të diturit dhe mbesin të paditurit”
Në metaforën e tij, demokracia është një sitë që gjithmonë lë vetëm elementët e dobët e të korruptuar.
“Të gjithë popujt, por edhe shqiptarët, historikisht janë sunduar nga aristokracia e tyre”
Ai kujton aristokracinë shqiptare si model stabiliteti dhe e paraqet rënien e saj si fillimin e dobësisë kombëtare.
“Demokracia është sistemi më i poshtër dhe më manipulues që ka pasur ndonjëherë njerëzimi”
Deklarata më ekstreme e tij: demokracia është e pandershme, djallëzore dhe në thelb anti-njerëzore.
“Allahu e ruajtë njerëzimin, e posaçërisht muslimanët, nga ky sistem djallëzor”
Manifesti përfundon me një thirrje fetare për largimin nga demokracia.
Nga çfarë regjimi doli Siria dhe çfarë propozon Albani?
Siria për dekada u sundua nga regjimi autoritar i familjes al-Asad – një autokraci familjare dhe partiake, e ngritur nga Hafez al-Asadi dhe trashëguar tek i biri, Bashari. Ky sistem nuk ishte demokraci, as aristokraci, por një diktaturë republikane e centralizuar ku pushteti mbështetej te Partia Ba’ath, ushtria dhe aparati i shërbimeve sekrete.
Në këtë kontekst, Ebu Katade Albani propozon një alternativë tjetër jo-popullore: jo demokraci, por rikthimin e aristokracisë, ku udhëheqja i takon elitave të pjekura, familjeve të forta dhe mbi të gjitha figurave fetare. Ai përmend Ehlul Bejtin (familjen e Profetit Muhamed) si modelin ideal të sundimit në Islam.
Kështu, Siria del nga një autokraci familjare, por Albani nuk i ofron popullit demokraci – ai propozon një regjim aristokratik e fetar, duke lënë jashtë vullnetin e shumicës.
Një manifest shqiptar në zemër të betejës ideologjike në Siri
Shkrimi i Albanit nuk është thjesht një analizë, por një manifest luftarak. Ai sheh demokracinë si komplot perëndimor dhe ofron si alternativë aristokracinë.
Në një kohë kur Siria endet mes rrënojave dhe kërkimit për një model të ri politik, shqiptari më i rëndësishëm në frontin sirian pozicionohet si zëri që kërkon të kthejë kohën mbrapa – nga autokracia te aristokracia.
Ebu Katade Albani, me emrin e vërtetë Abdul Samrez Jashari, i lindur më 25 shtator 1976 në Shkup, është një figurë e njohur shqiptare e përfshirë në konfliktin sirian. Ai përdor pseudonimin Abu Qatada al-Albani dhe ka udhëhequr grupin e quajtur Xhemati Alban, të përbërë kryesisht nga luftëtarë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ky grup është shfaqur në radhët e organizatave xhihadiste dhe është raportuar se ka pasur bashkëpunim me formacione si Hay’at Tahrir al-Sham (HTS).
Gjatë viteve të luftës në Siri, Ebu Katade Albani është paraqitur si komandant ushtarak dhe ka pretenduar se është promovuar në pozita të rëndësishme brenda strukturave të opozitës siriane. Ai ka dhënë deklarata publike ku e ka cilësuar luftën e tij dhe të grupit shqiptar si pjesë e një misioni fetar e kombëtar, duke përfshirë edhe kërkesën që Siria ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në intervista të ndryshme, ai ka kritikuar autoritetet e Prishtinës dhe Tiranës për neglizhencën ndaj shqiptarëve të mbetur në Siri.
Në nivel ndërkombëtar, Abu Qatada al-Albani është i sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit për lidhje me terrorizmin. Profili i tij është i ndërlidhur me rrjetet e xhihadit transnacional, por ai shpesh është përpjekur ta paraqesë veten si figurë politike e ushtarake dhe jo thjesht terroriste. Megjithatë, përfshirja e tij në strukturat e armatosura dhe roli si lider i një grupi luftarak e kanë bërë një prej figurave më të përfolura shqiptare në konfliktin sirian./GazetaInsajderi