
Rrëzimi i menjëhershëm i dronëve që shkelin hapësirën ajrore kombëtare ose pengojnë navigimin ajror është kërkuar këtë të premte nga kryeministri i shtetit të Bavarisë, Markus Söder.
Ai lëshoi thirrjen pas shfaqjes së dronëve në Mynih mbrëmjen e djeshme, një incident ky që shkaktoi mbylljen e aeroportit të qytetit.
Në të njëjtën kohë, BILD, duke cituar burime sigurie, raporton se bëhej fjalë për dronë “të mëdhenj” dhe të paktën një “avion me krahë fiks“, si ai i parë javën e kaluar mbi Kiel, që fluturuan mbi Mynih Sipas BILD avioni u zhduk para se policia të mund të ndërhynte.
“Incidentet me dronë demonstrojnë presionin e madh. Që tani e tutje, rregulli duhet të jetë: ‘Rrëzojini në vend që të prisni dhe bëjeni vazhdimisht!’. Policia jonë duhet të jetë në gjendje të rrëzojë dronët menjëherë”, tha kryeministri i Bavarisë, Markus Söder.
Ai po ashtu bëri thirrje për përdorimin e sistemit “Kupola e Hekurt” në hapësirën ajrore gjermane.
“Kemi nevojë për mbrojtje efektive për të gjithë infrastrukturën dhe instalimet tona ushtarake. Nuk ka të bëjë vetëm me parandalimin e spiunazhit. Infrastruktura jonë duhet të mbetet funksionale në çdo kohë. Kemi nevojë për sovranitet mbi hapësirën tonë ajrore”, theksoi Söhner, duke shtuar se qeveria e shtetit tashmë po harton një ligj të përshpejtuar, duke i bërë thirrje qeverisë federale të përshtatë Aktin e Sigurisë së Aviacionit sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas informacioneve zyrtare të mediave gjermane deri më tani nuk ka qenë e mundur të përcaktohet se kush qëndron pas sulmit të fundit me dron, i cili la në tokë 17 avionë, duke i ndalur fluturimet rreth 3,000 pasagjerëve. Aeroporti i Mynihut nisi të funksionojë normalisht që nga ora 05:00 e mëngjesit të së premtes.