Izraeli reagon pasi Hamasi pranoi planin e paqes të Trumpit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Izraeli reagon pasi Hamasi pranoi planin e paqes të Trumpit

    Insajderi
    04 October 2025 - 08:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu ka reaguar pasi Hamasi ka pranuar propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump për përfundimin e luftës në Gaza.

    Në një deklaratë për shtyp zyra njoftoi se Izraeli është i gatshëm të bashkëpunojë me liderin amerikan në të gjitha fazat e armëpushimit.

    “Izraeli është i gatshëm për zbatimin e menjëhershëm të fazës së parë të planit të Trumpit për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve”, thuhet në deklaratë. Ata shtuan se parimet e Izraelit përputhen me vizionin e Trumpit.

    “Do të vazhdojmë të punojmë në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe ekipin e tij për të përfunduar luftën në përputhje me parimet e vendosura nga Izraeli, të cilat përputhen me vizionin e Trumpit për përfundimin e luftës”, thuhet më tej.

    Në deklaratë nuk përmendet thirrja e Trumpit drejtuar Izraelit për të ndalur menjëherë sulmet në Gaza – një kërkesë që presidenti amerikan e ka cilësuar si të domosdoshme për të siguruar lirimin e sigurt dhe të shpejtë të pengjeve.

    Trump kishte reaguar përmes rrjeteve sociale duke thënë se kjo është një ditë e madhe për Lindjen e Mesme.

    “Bazuar në deklaratën e publikuar nga Hamasi, besoj se ata janë të gatshëm për paqe të përhershme. Izraeli duhet menjëherë të ndalojë bombardimet në Gazë, në mënyrë që të mund të shpëtojmë pengjet në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë! Aktualisht është shumë e rrezikshme për ta bërë këtë. Ne tashmë jemi në bisedime për detajet që duhen përpunuar. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Gazën, por me paqen e shumëkërkuar në Lindjen e Mesme”, deklaroi lideri amerikan.

    Lëvizja Hamas publikoi të premten në mbrëmje përgjigjen zyrtare për përfundimin e luftës në Gazë, disa orë pasi ai dha një ultimatum që deri të dielën në orën 18:00, sipas kohës së Uashingtonit, të pranohet plani i paqes, përndryshe do të pasojë “ferri që bota nuk ka parë ndonjëherë”.

    Në deklaratë, Hamasi bën të ditur se, pas konsultimeve të gjera me udhëheqësinë e tij, fraksionet palestineze, ndërmjetësuesit dhe “shtetet mike”, ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht pikave kyçe të propozimit.

    Militantët theksuan se vlerësojnë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe iniciativën e presidentit Trump, me synimin për përfundimin e luftës, shkëmbimin e të burgosurve, hyrjen urgjente të ndihmës humanitare, ndalimin e okupimit dhe ndalimin e zhvendosjes së popullit palestinez.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark