
Aeroporti i Mynihut është mbyllur sërish – për herë të dytë brenda 24 orëve të fundit, duke shkaktuar sërish ndërprerje të mëdha në udhëtimet ajrore. Shkak për këtë mbyllje janë bërë dronë me origjinë të panjohur, të cilët janë vërejtur pranë zonës së aeroportit.
Incidenti ka rritur ndjeshëm shqetësimet lidhur me sigurinë ajrore, pasi prania e dronëve mund të përbëjë rrezik serioz për aeroplanët që fluturojnë ose ulen në pistë.
“Nëse nuk na lejohet të rifillojmë fluturimet sot, numri i pasagjerëve të bllokuar do të jetë edhe më i madh sesa dje, kur kishim rreth 3,000 persona të ngelur në aeroport,” është shprehur përfaqësuesi zyrtar i aeroportit për agjencinë e lajmeve Reuters.
Kujtojmë se edhe të enjten në mbrëmje, Aeroporti i Mynihut u detyrua të pezullonte përkohësisht të gjitha operacionet, pasi autoritetet ngritën dyshime për praninë e dronëve në afërsi të pistave të fluturimit. Mbyllja zgjati për disa orë dhe shkaktoi vonesa dhe anulime të shumta.
Ky nuk është rasti i vetëm që përfshin fluturimet dhe dronët në hapësira të ndaluara. Vetëm gjatë javës së kaluar, aeroportet ndërkombëtare në Kopenhagë dhe Oslo u mbyllën përkohësisht për arsye të ngjashme — dronë të paidentifikuar që u shfaqën në zonat e ndjeshme ajrore.
Ndërkohë, këtë javë, të martën, një tjetër incident u regjistrua në Norvegji, ku një dron u vu re pranë aeroportit të qytetit Brønnøysund, duke detyruar autoritetet të marrin masa të menjëhershme për të siguruar zonën dhe për të parandaluar ndonjë aksident të mundshëm.
Situata e përsëritur në disa vende të Evropës ka shtuar presionin mbi autoritetet e aviacionit civil për të forcuar masat e sigurisë dhe për të hetuar burimin e këtyre dronëve misteriozë që po ndërpresin aktivitetin normal të aeroporteve.