
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka drejtuar akuza ndaj partive opozitare PDK, LDK dhe AAK, duke i akuzuar se po bëhen gati për ta ndryshuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe për të formuar qeveri në koalicion me Listën Serbe.
Në një postim në Facebook, Murati ka shkruar se këto parti po “premtojnë se pas zgjedhjeve lokale do të bëhen të gjithë bashkë për ta përmbysur qeverinë.”
Ai ka akuzuar gjithashtu edhe Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se po vepron në favor të këtyre partive.
“Gjykata Kushtetuese po ua bën një argat, sepse po e mban Kuvendin të bllokuar tash e një muaj,” ka shkruar Murati.
Postimi i tij i plotë:
Në këto zgjedhje lokale do të vendoset për shumë më tepër sesa vetëm për komunat.
Opozita po bëhet gati për me e ndryshu në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe me formu qeveri në koalicion me Listën Serbe.
Këtë tashmë kanë filluar ta thonë edhe hapur nëpër tubime lokale e nëpër studio televizive, nëse ua kushtoni vëmendjen e i dëgjoni me kujdes. Po premtojnë se pas zgjedhjeve lokale do të bëhen të gjithë bashkë e ta përmbysin qeverinë.
Por meqenëse e dijnë se një koalicion me Listën Serbe para zgjedhjeve komunale do të ishte fatal për ta, opozita synimin e ka që me e zvarritë sa të mundet hapin e formimit të qeverisë, ashtu që koalicioni i tyre me Listën Serbe me u zyrtarizu tek pasi të kryhen zgjedhjet komunale.
Për zvarritje, një argat po ua bën edhe Gjykata Kushtetuese, e cila po e mban Kuvendin të bllokuar tash e 1 muaj.
Prandaj këto zgjedhje lokale nuk janë vetëm për komunat, por për shumë më shumë.
Në këto zgjedhje lokale do të përcaktohet edhe se çfarë Qeverie do të ketë Kosova – një Qeveri Kurti 3 që e forcon shtetin, apo një qeveri që e pret Listën Serbe në Kuvend për 6 orë derisa të kthehen nga Beogradi me instruksione se si ta sabotojnë shtetin e Kosovës.